Milicitë e armatosura po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Libisë, ka paralajmëruar Amnesty International. Grupi i të drejtave të njeriut thotë se të paktën 12 të burgosur të mbajtur nga milicitë kanë vdekur pasi janë torturuar që prej muajit shtator.
Raporti që po publikohet përputhet me njëvjetoritn e fillimit të revoltave që rrëzuan liderin libian Muammar Gaddafi pas dekadash qeverisjeje në Libi.
Muajin e kaluar OKB deklaroi se të paktën 8 mijë mbështetës pro-Gaddafi po mbahen nga grupet militante.
Qeveria e përkohshme ka deklaruar se po përpiqet të përforcojë autoritetin, por korrespondentët thonë se ajo ka dështuar në vënien nën kontroll të këtyre grupeve.
Sipas Amnesty, disa grupe të përbëra nga ish-rebelë po kryejnë veprime që shkelin të drejtat e njeriut dhe nuk ndëshkohen apo kontrollohen nga qeveria e përkohshme.
Raporti citon të burgosur që thonë se janë rrahur me grushte, kamzhik, zinxhirë prej çeliku dhe shufra hekuri, si dhe u janë nënshtruar torturave me korrent.
“Askush nuk po i konsideron këto milici përgjegjëse”, ka deklaruar për “AFP” Donatella Rovera, këshilltare e vjetër për këto çështje pranë Amnesty International. N
ë një qendër burgimi në Tripoli, hetuesit kanë gjetur shumë të burgosur të torturuar. Raporti bazohet në kërkimet e kryera në Libi në muajt janar dhe shkurt.
Top Channel