Ishujt, Argjentina dënon vizitën e britanikëve

16/02/2012 09:25

Argjentina ka dënuar ashpër vizitën e planifikuar të deputetëve britanikë në ishujt Falkland, duke e cilësuar si një tjetër shenjë të militarizimit britanik të Atlantikut të Jugut.

Planet për një vizitë nga anëtarët e Komitetit të mbrojtjes të Parlamentit britanik u publikuan nga mediat ditën e martë.

Tensionet mbi ishujt, të cilët Argjentina i quan Malvina, janë rritur në prag të 30-vjetorit të luftës së ishujve Falkland. Mbretëria e Bashkuar ka hedhur poshtë thirrjet e Argjentinës për të zhvilluar bisedime mbi sovranitetin e ishujve.

“Britania i ka transformuar ishujt Malvina në një sistem bazash ushtarake mijëra kilometra larg Londrës për të kontrolluar Atlantikun Jugor, rrugët ndëroqeanike dhe Antarktidën”, ka deklaruar Ministria e Jashtme argjentinase.

Dikasteri diplomatik ka përsëritur gjithashtu deklaratën e mëparshme se Mbretëria ka dërguar një nëndetëse bërthamore në rajon.

Anëtarë të Komitetit të mbrojtjes kanë deklaruar se vizita e tyre, e planifikuar për në mars, nuk ka për qëllim përshkallëzimin e tensioneve me Argjentinën.

Anëtari laburist i komitetit, Thomas Docherty deklaroi se ishujt Falkland janë një vend i papërshtatshëm për të kryer një vizitë, duke pasur parasysh praninë e trupave britanike atje. Vizita e fundit e një niveli të tillë daton që në vitin 1999.

Qeveria britanike i ka hedhur poshtë akuzat e asaj argjentinase për militarizim të ishujve, duke i cilësuar ato si “absurde” dhe duke deklaruar se prania ushtarake mbrojtëse nuk ka ndryshuar.

Kryeministri David Cameron ka insistuar se nuk ka vend për negociata mbi sovranitetin për sa kohë banorët e ishujve dëshirojnë të mbeten britanikë.

Ditë më parë, sindikata e punëtorëve të transportit në Argjentinë, e cila përfshin edhe punonjësit e porteve, lajmëroi se nuk do të lejojë asnjë mjet lundrues që mban flamurin e Britanisë që të ankorohet në portet e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA