Kreu i Eurogroupit ka shprehur besimin e tij pas perfundimit të telekonferencës së ministrave të Eurozonës se samiti i ditës së hënë, në 20 shkurt, do të marrë vendimet përfundimtare dhe të nevojshme për Greqinë.

Jean Claude Juncker ka deklaruar se është arritur një përparim i dukshëm, se më në fund janë marrë garanci të forta të ofruara nga krerët e dy partive të koalicionit në qeverinë greke, trojka ka finalizuar dhe ka paraqitur analizën e saj per qëndrueshmërinë e borxhit publik të Greqisë dhe jane identifikuar masat e nevojshme per tu gjetur nje shtese prej 325 milion euro ne menyre qe te mbyllej marreveshja per paketen e kredise.

Më herët kreu i shtetit grek ka reaguar ndaj skepticizmit tepër të madh të Berlinit dhe të disa prej mbështetësve kryesorë të tij, nëpërmjet deklaratave të publikuara në mediat e huaja, sipas të cilave ministri gjerman i Financave dhe disa nga mbështetësit e tij, kanë kërkuar prej Athinës të mos zhvillojë zgjedhje parlamentare.

“Nuk lejoj asnjë që të përqeshë vendin tim. Kush eshte z. Schauble?Kush janë hollandezët dhe finlandezët”, ka thënë Karolos Papulias, që me një veprim simbolik, ka hequr dorë sot nga rroga e tij për t’ja lënë atë shtetit.

“Disa vende të Eurozonës nuk duan më Greqinë në bllokun e tyre, ka deklaruar edhe ministri grek i Financave Evangjelos Venizellos duke shtuar se, këto shtete po luajnë me zjarrin”.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane që nuk ka komentuar deklaratën e presidentit grek , ka theksuar se Berlini po punon së bashku me partnerët për daljen e Greqisë nga kriza, ndërsa dëshiron që ajo të mos falimentojë dhe të mos largohet nga Eurozona.

Midis Athinës dhe Brukselit qarkullojnë orët e fundit skenare se paketa e ndihmes mund të jepet me këste, një pjese e vogël para zgjedhjeve në mënyrë që Greqia të paguajë një bono thesari me vlerë 14.5 miliard euro që i mbaron afati në 20 mars dhe pjesa tjetër pas zgjedhjeve parlamentare.

Megjithëse Parlamenti grek ka miratuar të dielën paketën me masat më të ashpra në historinë e vendit, Greqisë i janë kërkuar vazhdimisht nga eurozona garanci politike të reja dhe të qarta për zbatimin e reformave në këmbim të kredisë prej 130 miliard eurosh dhe reduktimit të borxhit kolosal të vendit.

Top Channel