Policia tajlandeze deklaron se personat e ndaluar pas bombave që shpërthyen para kohe të martën në Bangkok kishin si qëllim të godisnin dy diplomatë izraelitë.
Autoritetet nuk dhanë shumë detaje mbi dy diplomatët, por saktësuan se dy personat e ndaluar dyshohen se janë iranianë dhe do të mbahen në arrest në Bangkok.
Ndërkohë, një person i tretë ndodhet i arrestuar në Malajzi, ndërsa një i katërt dyshohet se është në arrati. Izraeli deklaron se pas incidenteve është Irani, por Teherani mohon çdo përfshirje të tij në këto atentate.
Shpërthimi në Bangkok erdhi një ditë pasi dy sulme u kryen kundër diplomatëve izraelitë në Indi dhe Gjeorgji. Një diplomat izraelit u plagos në Nju Delhi, pasi një motoçiklist në ecje vendosi një mjet eksploziv në makinën diplomatike.
Pothuajse në të njëjtën kohë një bombë e vendosur në një makinë diplomatike në Tbilisi u gjet dhe u çaktivizua nga truprojat që shoqëronin pasagjerët.
Vende të shumta, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, lëshuan paralajmërime për kujdes për personat që udhëtojnë në Tajlandë, pas atentateve.
Top Channel