Kosova mbetet çështja e zemrës për Pandeli Majkon, ish kryeministrin që përballoi një nga periudhat më të vështira humanitare dhe gjeopolitike në Shqipëri gjate luftes se vitit 1999.
Zoti Majko flet per uneflas.al, në një intervistë për 5 vjetorin e parë të Pavarësisë së Kosovës me optimizëm për të ardhmen e shtetit më të ri në rajon, duke I kërkuar pjesës tjetër të kombit të ecë shpejt me sytë nga e ardhmja europiane.
Zoti Majko, Kosova po shënon 5 vjetorin e parë të Pavarësisë së saj. Si e ndjeni veten Ju që ishit Kryeministri i kohës kur po finalizoheshin përpjekjet e para për Pavarësi në Kosovë?
Fjalët janë të pavlefshme për ta përshkruar në mënyrë shterruese. Ndihem mirë padyshim. Më duket sikur ca gjëra kanë ecur shpejt dhe disa të tjera ngadalë. Koha kalon dhe ajo i kerkon të tashmes së Kosovës, cilësi që nuk mund të shpjegohen me të kaluarën e saj. E ndjek Kosovën nga jashtë dhe nga brenda njëkohësisht, sepse për mua ky shtet është njëkohësisht shtet fqinj dhe atdhe…Më ngatërohen ndonjëherë dhe kjo është vec njerëzore.
Çfarë ka ndryshuar në këtë 5 vjetor të parë për Kosovën? A është një vend më i sigurtë dhe me një perspektivë të mbështetur në botë për njohjen e pavarësisë së saj?
Kosova e pavarur tek unë nuk fillon 5-së vite më pare, por 14-të vite të shkuara, në vitin 1999. Largimi i ushtrisë serbe dhe kthimi i njerëzve në shtëpi pas luftës çlirimtare ishin “formalitete” fillestare. Të tjerat erdhën më vonë. Koha ecën. Tani Kosova është kthyer në një koordinatë ndërkombëtare dhe pjesë e memorjes globale. Nuk ka qenë dhe as do të jetë e lehtë të ndërtosh veten si shtet në një rajon të mbushur me urrejtje dhe paragjykime si Ballkani. Jam optimist jo nga natyra, por nga ajo që shoh të vijë për Kosovën dhe shqipatrët në rajon. Pavarësia e Kosovës e nxori faktorin shqiptar nga “gropa” e historisë dhe të qenit një material “mbushës” në strukturën e balancave rajonale. Dy polet e shqiptarizmit shtetëror në Tiranë dhe Prishtinë janë projektuar për të sjellë paqe dhe shqiptarë që nuk do e njohin në sjelljen e tyre inferioritetin. Si fillim, kjo nuk është pak.
Kosova kthen shpesh sytë nga Shqipëria kur bëhet fjalë për momente të rëndësishme të rrugëtimit të saj shtetndërtues. A mendoni se Shqipëria zyrtare e ka luajtur siç duhet rolin e saj në këtë drejtim, duke lobuar në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën?
Shqipëria jo për kritikë, akoma nuk ka ravijëzuar një doktrinë të qartë për rolin e ri të shqiptarëve në rajon. Reflektimi i kësaj sjelljeje ndikon edhe mbi Kosovën. Kjo nuk duhet parë si “tradhëti” se sa në të mësuarin me sjelljen e mëparshme të lidhur me reflekset e shtetit shqiptar që nga 1912. Politikanët e Shqipërisë në një pjesë të madhe kanë një edukatë të fiksuar me parimet e “Luftës së ftohtë” që shpesh krijon rregulla sjellje të “lodhura” për tempin që kërkon një brez i ri shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe më gjerë. Kjo do kalojë me kohën. Numri i “njohjeve” për Kosovën po kthehet në një detaj teknik. Shqiptarët e rinj duan më shumë. Jo fjalë boshe dhe deklarata, sigurisht. Shqiptarët nuk janë komb emotiv. Përkundrazi u pëlqen racionaliteti sepse pa të nuk do kishin mbijetuar. Koha dhe jo politika u ka mësuar shqiptarëve cilësitë e të qenit kundër qëndrimit në vend. Nuk besoj se populli duhet tu përshtatet politikanëve. E kundërta ka kuptim.
Së fundmi Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi një rezolutë, që u cilësua arritje për të ardhmen e Kosovës, sepse ndarja cilësohet jo më një opsion. A mendoni se kjo do të afrojë edhe njohjen e Kosovës nga 5 shtetet e mbetura të BE?
Bashkimi Europian është një godinë në ndërtim e sipër. Si e tillë ajo prodhon edhe kriza besimi që kërkojnë mirëkuptimin e shqiptarëve. Më shumë se të nervozohemi me europianët vlen të shohim edhe kë ju kemi vënë përballë për të folur në emër të interesave shqiptare.
Padyshim që mos prisni që për shqiptarët të shtrohet “qilimi i kuq” për të na pritur me brohoritje në Bruksel në një kohë që pak kohë më parë kemi qenë për një pjesë jo të vogël europianësh vec një komb “periferik”. Disa gjëra si kjo e fundit mos prisni që të na i thonë me zë të lartë.
Sigurisht Kosova sot nuk është Shqipëria e hapave të para si shtet kur një fuqie si Italia ju njohën të “drejta eskluzive” mbi sovranitetin e shqiptarëve. Kjo pati efekte historike që zgjati për dekada në njohjen e Shqipërisë si shtet sovran. Nëse një “patologji” përsëritëse do të kishte paralele në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, kjo do të ishte e gabuar. Shqiptarët nuk janë budallenj dhe kanë miq edhe jashtë europës për ta kuptuar e kundërshtuar këtë. Nëse dikush ka një plan që e ndërton të ardhmen në kurriz të shqiptarëve, i duhet të kuptojë se nuk ka si shqiptarët për të “prishur” atë që ju kufizon të drejtën që u takon. Askush dhe për asnjë arsye nuk mund ta ndalojë Kosovën të ecë në rrugën e saj. Vonesa është një teknologji që shqiptarët e njohin mirë. Ata tani po fiksojnë ngadalë miqtë dhe kundërshtarët e tyre gjeopolitikë. Londra dhe Uashingtoni ka kohë që janë miqtë që jua dëgjojnë këshillën dhe zërin. Arsyet dihen!
Intervistoi Sonila Agostini
Top Channel