Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar ka deklaruar se misioni i tij është që të përkrahë Kosovën në rrugën evropiane të saj.
Këtë deklaratë Zhbogar e ka bërë gjatë një takimi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ku ka nënvizuar se për këtë qëllim është vendosur që zyra e KE-së në Kosovë të jetë edhe ajo e përfaqësuesit të BE-së.
“Gjatë dhjetorit të vitit të kaluar BE-ja ka ndërmarrë vendime të rëndësishme për Kosovën, përfshirë fillimin e proçesit për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale tregtare, si dhe proçeset e tjera që do të vazhdojnë”, ka deklaruar Zhbogar.
Në këtë drejtim, diplomati slloven ka përmendur edhe shumën prej 70 milionë eurosh që Unioni ka planifikuar për Kosovën gjatë këtij viti.
“I rëndësishëm është edhe proçesi i dialogut Kosovë-Serbi dhe ndihma që BE-ja është e gatshme të ofrojë në këtë aspekt, që nënkupton integrimin e veriut dhe përfaqësimin rajonal të Kosovës”, ka shtuar Zhbogar.
Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka shprehur rezervat e tij lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, në veçanti ndaj përgatitjes, sipas tij, të dobët, axhendës jo të qartë dhe qëndrimint jotransparent ndaj parlamentit dhe opinionit publik.
Mustafa ka theksuar se LDK është një parti që ka trashëguar konceptin e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe se mbështet parimin që çështjet të zgjidhen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.
Ditën kur mbërriti në Prishtinë, në një prononcim për mediat, Zhbogar deklaroi se do të jenë 3 prioritetet e misionit të tij, ku përveç integrimit janë edhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit.
Ndërsa përsa i takon çështjes së veriut, ai tha para pak ditësh se atë mund ta zgjidhin vetë qytetarët dhe institucionet e Kosovës, e cila sipas tij është në gjendje të vendosë vetë.
Top Channel