PS, plan për fatkeqësitë natyrore

15/02/2012 00:00

Partia Socialiste mblodhi Komisionin e Emergjencës ku u raportua për situatën më të fundit në zonat e izoluara të vendit për shkak të motit të keq me dëborë të dendur që ka bllokuar lëvizjen e mijëra qytetarëve shqiptarë kryesisht në veri dhe jug-lindje të vendit.

Por ajo që ishte me më shumë rëndësi, sipas socialistëve, ishte paraqitja e një plani afatmesëm që do të mundësonte tejkalimin e situatës aktuale dhe përballimin e situatave të emergjencave në të ardhmen.

Plani shtrihej në tre drejtime kryesore: 1) në ardhjen në ndihmë të banorëve të izoluar nga dëbora e fundit në situatën aktuale me fonde të posacme dhe stimuj për ripërtëritjen e aktivitetit ekonomik-bujqësor në zonat e prekura.

Ky drejtim u shpalos nga deputeti Erjon Brace i cili propozoi lëvrimin e një fondi për të lehtësuar goditjen që u ka bërë moti i keq, kryesisht bujqësisë dhe blegtorisë në zonat e izoluara. Sigurimi i medikamenteve dhe ushqimeve për banorët e izoluar, sigurimi i bazës ushqimore për gjënë e gjallë për 2 muaj me radhë nga ana e shtetit për familjet e goditura nga izolimi, këto ishin disa nga pikat e drejtimit të parë të programit socialist.

Drejtimi i dytë të PS-së ishte përgatitja e me fonde dhe struktura për përballimin e situatave të emergjencave në të ardhmen. Ky drejtim u prezantua nga deputeti socialist Arben Malaj i cili nënvizoi krijimin e hartës së zonave të riskut në Shqipëri.

“Fatkeqësitë natyrore janë shtuar shumë dhe janë të rënda me kosto për familjet dhe ekonominë. Duhet të ketë disa hapa afatmesme për të reduktuar kostot njerëzore dhe shpërndarë me mirë koston ekonomike. Të krijohet harta e riskut të lartë të zonave në Shqipëri për t’u dhënë një status të vecantë, për t’u dhënë një fond në nëntor-shkurt, status të vecantë për shërbimin mjekësor. Duhet riogranizim i mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe lokale, duhet një fond i qartësuar sidomos për ngritjen e logjistikës në zonat e emergjencës në funksion të reduktimit të pasojave dhe përmasave”, deklaroi zoti Malaj.

Drejtimi i tretë i planit socialist ishte energjitika e prezantuar nga deputeti Andis Harasani. Ai theksoi se duhet një planifikim për energjinë dhe një fond që duhet të menaxhohet nga Enti Rregullator i Energjisë.  Fondi tha Harasani duhet të krijohet nga shitja e energjisë në pikun e prodhimit dhe të shfrytëzohet për blerjen e saj në kohë thatësire.

“Duhet parashikim për energjinë, sa do shesim dhe sa do blejmë. Të krijohet fondi i balancimit të energjisë, i cili mund të  krijohet nga shitjet në periudhën mars-korrik, të menaxhohet dhe kontrollohet nga ERE, të ruhet në një nga bankat shqiptare e të menaxhohet në sezonet kur ka thatësirë”, deklaroi Harasani.

Pas prezantimit të planit kreu i PS-së, Edi Rama vlerësoi se plani lidhet me domosdoshmërinë e përballimit të situatës aktuale dhe parashikimet për të ardhmen që të mos jemi të papërgatitur. Rama tha se shteti është i pafuqishëm për të përballuar situatën dhe për këtë solli si shembull zonat e izoluara në Librazhd ku më herët kishte vizituar banorët e kësaj ane. Gjatë takimit me banorët, Partia Socialiste shpërndau ndihma të grumbulluara nga opozita. Kreu PS-së theksoi se në këtë zonë mungonte ndihma e shtetit. Lideri socialist u ndal edhe tek gjendja e vështirë financiare që po kalojnë njësitë qeverisëse vendore.

“Njësitë vendore janë katandisur në struktura që po falimentojnë, gjendja financiare e këtyre njësive është alarmante. Komunat janë rrënuar plotësisht, ndërsa kryeministri u bën thirrje për përballimin e orteqeve”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, Rama tha se qeveria nuk ka aftësi as për të ndërtuar një plan për përballimin e situatës dhe se mbledhjet e saj po shfrytëzohen për të zhvendosur vëmendjen.

“Qeveria nuk ka as plan as aftësi për të ndërtuar një plan. Shohim përditë se mbledhjet e saj shfrytëzohen për të zhvendosur vëmendjen, sic ishte halucinacioni i sotëm për të kthyer gjuhën kineze në gjuhë të detyrueshme”, përfundoi Rama.

Rama në zonat e bllokuara

Momenti i vështirë që po kalojnë banorët e zonave të bllokuara nga dëbora, ka zbritur në terren vetë kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama në shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe medikamenteve në zonën e Librazhdit.

I shoqëruar nga krerët e bashkive të Elbasanit Qazim Sejdini, të Pogradecit Artan Shkëmbi dhe atij të Korçës Niko Peleshi, kryesocialisti ka qenë në komunat Rrajcë, Skëndërbe dhe Bardhaj.

Duke shprehur gadishmërinë e plotë të Partisë Socialiste për të qenë pranë banorëve të bllokuar në të gjithë Shqipërinë, zoti Rama tha se opozita po bën atë që duhet të bënte qeveria me strukturat e saj.

“Jemi mobilizuar në të gjitha zonat, por kuptohet që nuk mund të zëvendësojmë shtetin. Fatkeqësisht shteti është shthurur sa është katandisur në një strukturë që s’ka fuqi që t’i përgjigjet kësaj situate. S’ka plan për të dalë nga kjo situatë”, deklaroi Rama.

Kryesocialisti Rama tha se përvec ndihmës në terren, opozita do të ndërmarrë edhe iniciativa në Kuvendin e Shqipërisë për t’iu gjendur pranë financiarisht të gjithë banorëve.

“Ne do t’i kërkojmë Parlamentit nesër marrjen e disa masave financiare për të kaluar emergjencën dhe për të kuruar plagët e kësaj drame të madhe, si për dëmet materiale, edhe ato në bagëti, etj. Shpresojmë të mos kemi dëme në njerëz”, theksoi Rama.

Në përfundim kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama nuk ka shmangur edhe ironinë ndaj kryeministrit Berisha. “Rrugës duke ardhur, mësova se kryeministri ka nxjerrë një recetë të re për të dalë nga situata, të mësojmë kinezçen”, u shpreh ai.

PS: Dëbora, qeveria asnjë asistencë

Gjatë pasdites së të mërkurës, ka qenë edhe deputetja e PS, Olta Xhaçka që ka folur në një konferencë për shtyp mbi situatën e krijuar nga reshjet e dëborës në vend.

Xhaçka ka deklaruar se disa nga akset rrugore të vendit vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe institucionet nuk po bëjnë asgjë për këtë.

“Akset Has-Krumë dhe Kukës-Krumë-Qafë Prush janë të bllokuara. Gjithashtu, s’ka patur ndihma dhe asnjë asistencë në fshatrat dhe komunat e bllokuara të qarkut të Kukësit”, ka deklaruar Xhaçka.

Sipas saj, gjendje e jashtëzakonshme paraqitet në qarkun e Tropojës, ku në qytet dëbora ka arritur në 2 metra thellësi, si dhe në Bajram Curri ku rrugët nuk po pastrohen.

“300 pako me ndihma për në Bajram Curri nuk janë shpërndarë nga institucionet, në fshatin Bricë 9 familje janë të izoluara dhe kanë mbetur pa asnjë kontakt, ndërsa në Pukë situata mbetet e vështirë në qytet dhe komuna”, ka saktësuar Xhaçka.

Top Channel