Përballë skepticizmit tepër të madh të Berlinit dhe të disa prej mbështetësve kryesorë të tij, Greqia përshkallëzon reagimet e saj politike.

Vetë presidenti grek Karolos Papulias, që me një veprim simbolik ka hequr dorë sot nga rroga e tij për t’ia lënë atë shtetit, ka dënuar ashpër deklaratat e ministrit gjerman të Financave që ka kërkuar prej Athinës të mos zhvillojë zgjedhje parlamentare.

“Nuk lejoj asnjë që të përqeshë vendin tim. Kush është zoti Schauble? Kush janë holandezët dhe finlandezët?”, ka thënë ai.

Reagimi i ashpër i presidentit grek ka ardhur menjëherë pas deklaratave të ministrit gjerman dhe informacioneve të mediave të huaja se paketa e ndihmës prej 130 miliardë eurosh do t’i jepet Greqisë pas zgjedhjeve dhe vetëm pasi të mësohet predispozita dhe qëllimi i qeverisë së re.

“Disa vende të Eurozonës nuk duan më Greqinë në bllokun e tyre. Këto shtete po luajnë me zjarrin”, ka deklaruar ministri grek i Financave, Evangjelos Venizellos.

Ndërkohë, udhëheqësi i konservatorëve Andonis Samaras ka dhënë sot angazhimin e tij politik, se do të zbatojë politikën që përmban paketa e reformave të ndihmës, nëse partia e tij fiton zgjedhjet e ardhshme, duke plotësuar kështu një prej kushteve të cilat kërkonin liderët e Eurozonës.

Gjithashtu, në telekonferencën e ministrave të Financave në mbrëmjen e së mërkurës, Athina ka paraqitur edhe mënyrën se ku do të gjendeshin 325 milionë euro për të mbyllur marrëveshjen me trojkën.

Midis Athines dhe Brukselit qarkullojnë në orët e fundit skenare se paketa e ndihmës mund të jepet me këste, një pjesë e vogël para zgjedhjeve në mënyrë që Greqia të paguajë një bono thesari me vlerë 14.5 miliardë euro që i mbaron afati në 20 mars dhe pjesa tjetër pas zgjedhjeve parlamentare.

Megjithëse Parlamenti grek ka miratuar të dielën paketën me masat më të ashpra në historinë e vendit, Greqisë po i kërkohen vazhdimisht nga Eurozna garanci politike të reja dhe të qarta për zbatimin e reformave në këmbim të kredisë prej 130 miliardë eurosh dhe reduktimit të borxhit kolosal të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA