Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni ka kritikuar mazhorancën qeverisëse për ratifikimin në Parlament të një marrëveshjeje policore me Serbinë.

Përmes një deklarate për shtyp, PDSH-ja e Menduh Thaçit ka shënjestruar në veçanti BDI-në e Ali Ahmetit, e cila sipas saj po bëhet palë në cënimin e popullsisë shqiptare.

”Tendenca që ky ligj, i miratuar edhe me votat e BDI-së, të paraqitet thjesht si një bashkëpunim mes dy Ministrive të Brendshme vetëm sa thellon më tej tradhtinë dhe turpin e BDI-së”, ka deklaruar PDSH.

Sipas saj, me miratimin e këtij ligji BDI po i mundëson policisë “genocidiale” serbe që të patrullojë në qytetet shqiptare të Maqedonisë dhe t’i konsiderojë ato si territoret e veta.

“Avokatët e tradhtisë janë tradhtarët e vërtetë. Me këtë veprim ata e zbuluan veten. Funksionarët e BDI-së e kanë pëlqyer prej kohësh bashkëpunimin me strukturat policore të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë”, thuhet në deklaratë.

Më tej, partia shqiptare në opozitë fajëson atë në pushtet për gjendjen “mjeruese” ku sipas saj ndodhen prej kohësh shqiptarët e Maqedonisë.

Marrëveshja e ratifikuar parashikon mes të tjerash: bashkëpunimin mes zyrave përgjegjëse për sigurinë e dy shteteve; qarkullim të lirë dhe pa kontroll të zyrtarëve shtetërorë në pikat kufitare; shkëmbim oficerësh në bazë të nevojave; zgjidhje të përbashkët të konflikteve apo ngjarjeve të cilësuara me rrezik të lartë; shkëmbim të informacioneve të klasifikuara mes shërbimeve sekrete; etj.

Top Channel