Ngjela: Qeveri pa rezerva, turp

15/02/2012 00:00

Deklaratat e kryeministrit Sali Berisha për situatën e rënduar nga
reshjet e dëborës, Spartak Ngjela kryetar i Partisë Ligj dhe Drejtësi i
ka krahasuar me si retorika boshe, njësoj si në kohën e Enver Hoxhës.

Sipas Ngjelës kryeministri rreket të gënjejë shqiptarët për mrekullitë e tij ekonomike në një kohe kur i ka lënë qytetarët në mëshirë të dëborës, pasi mungojnë burimet financiare.

“Qeveria shqiptare sot, brenda retorikës boshe të Enver Hoxhës që i përcjell popullit Sali Berisha, do të shihni se në një gjendje emergjence nga moti i keq nuk ka para, nuk ka fonde emergjence. Turp!”, tha Ngjela.

Ngjela ka paralajmëruar një skandal detajet e të cilit, ai premtoi se do të behen publike nga opozita në ditët e ardhshme.

“Ka prishur kontratën prej 6 miliardë eurosh, që i ka ofruar partneri ynë kryesor Gjermania për projektin e ndërtimit të një impianti për gaz të lëngshëm në territorin shqiptar. I ka përcjellë, i ka gënjyer, ka marrë projektin e tyre dhe u është drejtuar republikave ruse”, tha Ngjela.

PS: Dëbora, qeveria asnjë asistencë

Deputetja e PS, Olta Xhaçka ka folur në një konferencë për shtyp mbi situatën e krijuar nga reshjet e dëborës në vend. Xhaçka ka deklaruar se disa nga akset rrugore të vendit vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe institucionet nuk po bëjnë asgjë për këtë.

“Akset Has-Krumë dhe Kukës-Krumë-Qafë Prush janë të bllokuara. Gjithashtu, s’ka patur ndihma dhe asnjë asistencë në fshatrat dhe komunat e bllokuara të qarkut të Kukësit”, ka deklaruar Xhaçka.

Sipas saj, gjendje e jashtëzakonshme paraqitet në qarkun e Tropojës, ku në qytet dëbora ka arritur në 2 metra thellësi, si dhe në Bajram Curri ku rrugët nuk po pastrohen.

“300 pako me ndihma për në Bajram Curri nuk janë shpërndarë nga institucionet, në fshatin Bricë 9 familje janë të izoluara dhe kanë mbetur pa asnjë kontakt, ndërsa në Pukë situata mbetet e vështirë në qytet dhe komuna”, ka saktësuar Xhaçka. 

Top Channel