Mazhoranca dhe opozita në komisionin e ligjeve kanë bërë një hap domethënës përpara, kur miratuan me konsensus ndryshimet në Kodin Civil, pas diskutimeve të gjata dhe teknike disaditore.

Ndryshimet rregullojnë marrëdhëniet e qytetarëve në një proçes civil, kur ata përballen me shpifje apo fyerje, që cënojnë nderin, dinjitetin apo reputacionin e tyre, qoftë edhe nëpërmjet faqeve në internet.

Sfida tjetër është miratimi përfundimtar i ndryshimeve të propozuara nga qeveria në Kodin Penal, edhe ky një ligj që kërkon shumicë të cilësuar. Socialistët dhe demokratët e kanë miratuar në parim dhe pritet të diskutojnë ndryshimet sipas neneve.

Propozohen masa të rrepta për dhunën në familje

Një nga propozimet për ndryshim, që po merr edhe vëmendjen e shoqërisë civile, është ndëshkimi më i fortë penalisht për dhunën në familje.

Shoqëria civile propozoi që me masa të reja penale të rreptësohet dhuna sistematike në familje, gjë që shihet si burimi kryesor për vrasjet dhe plagosjet brenda familjes, si dhe të bëhet më i rreptë penalizimi për ata që janë dënuar nga gjykata për dhunën në familje.

“Ne kemi një rrethan rënduese në nenin 50 të Kodit Penal, por ajo nuk zbatohet fare, për të mos thënë se ka edhe raste kur dhuna në familje është përdorur si rrethanë rënduese”, deklaroi juristja Aurela Anastasi.

Gjithashtu, përfaqësues të shoqërisë civilë kërkojnë që të rishikohet ose të hiqet dënimi penal për viktimat e trafikimit të qënieve njerëzore.

Top Channel