Milani përballë Arsenalit

15/02/2012 00:00

Milani do të përpiqet në mbrëmjen e sotme të thyejë tabunë me skuadrat angleze ku do të përballet në këtë fazë të 1/16 me skuadrën e Arsenalit.

Fitorja e fundit e kuqezinjve është finalja e vitit 2007 kur mundi Liverpulin. Sipas trajnerit Allegri skuadra e tij është më e plotë dhe më e sigurtë për ndeshjen e mbrëmjes së sotme.

“Arsenali ka një grup të mirë lojtarësh dhe individualistësh që shpesh bëhen të rrezikshëm nëse nuk tregohemi të kujdesshëm, sidomos në mbrojtje pasi nuk do të luajmë një, por dy ndeshje”, thotë ai.

Për këtë takim Milani do të ketë në dispozicion edhe sulmuesin Zlatan Ibrahimovich, pas mungesës në kampionat kundër Udinezes, ndeshje e cila u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-1.

Arsenali ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Londër dhe më pas ka udhëtuar për në Milano ditën e sotme. Për sulmuesin francez Tierry Henri kjo do të jetë ndeshja e fundit me fanelën e Arsenalit pasi i përfundon kontrata e huazimit dhe i duhet të rikthehet në Nju Jork sërish.

Edhe në këtë ndeshje pika e referimit për sulmin e topcinjve do të jetë Robin van Persi që ka shënuar 20 gola deri më tani.

Venger: Në San Siro për fitore

Arsenali i Arsen Venger rikthehet të luajë në San Siro pas katër viteve me synimin për të fituar ndaj kampionëve të Italisë. Trajneri francez bëri të qartë synimin e tij gjatë konferencës për shtyp duke theksuar se do të aplikojë lojë sulmuese.

“Në San Siro do të kërkojmë të bëjmë lojën tonë. Milani është një skuadër shumë e mirë, por edhe ne nuk jemi më pak. Do të kërkojmë të bëjmë lojë sulmuese ashtu sikundër dhe kundërshtarët tanë. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur. Skuadra ka fituar besimin tek vetvetja dhe është gati të përballet me Milanin”, tha Venger.

Arsenali ka kujtime të mira nga përballjet me Milanin. Në vitin 2008, topcinjtë fituan në San Siro me rezultatin 2-0 duke eliminuar kuqezinjtë nga Liga e Kampioneve.

Top Channel