Sasia e madhe e borës dhe ortekët e pandërprerë që po bien në Grykën e Rugovës, në pjesën perëndimore të Kosovës, kanë bërë që rruga për në qendrën turistike të Rugovës të jetë e mbyllur duke izoluar afro 300 banorë e turistë.
Raportohet se fshati Dushkajë i komunës së Pejës është plotësisht i mbyllur. Në anën tjeter policia, por edhe ministria e Infrastrukturës, njofton se gjendja e rrugëve nëpër qytet dhe në rrugët lokale ka filluar të normalizohet.
Megjithatë, zyrtarët komunalë të Pejës kanë thënë se ende ka shumë punë për t’u bërë në pastrimin e rrugëve nëpër qytet e sidomos nëpër fshatra të thella.
Zyrtarët e qeverisë qendrore dhe atyre lokale apelojnë tek qytetarët që të ndihmojnë autoritetet komunale në pastrimin e borës para shtëpive, dyqaneve si dhe automjetet e lëna përreth rrugëve t’i largojnë sa më shpejt.
Ndërkohë, nga fillimi i reshjeve të borës rruga që të çon në Malin e Zi, Pejë-Kull-Rozhaj vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullim.
Një situatë me e normalizuar raportohet për rrugët e komunës së Shtërpcës, por edhe për rrugën që të çon në qendrën e skive në Brezovicë.
Top Channel