Korrupsioni në BE

15/02/2012 00:00

Vitin e ardhshëm, Komisioni Europian do të publikojë për herë të parë një raport mbi masat e marra kundër korrupsionit nga vetë vendet anëtare të BE-së.

Të dhënat e fundit të Eurobarometer tregojnë se 3/4 e qytetarëve europianë e perceptojnë si problem madhor korrupsionin.

Ata gjykojnë se korrupsioni ekziston në të gjitha nivelet e qeverisjeve kombëtare dhe në institucionet e BE-së dhe se ky fenomen ka shënuar rritje përgjatë 3 viteve të fundit.

“Nuk dimë shumë për këtë fenomen. E dimë që ka një impakt të stërmadh mbi ekonominë, e dimë që ka nevojë për vullnet politik për ta luftuar, por deri më sot nuk kemi pasur mjetin e duhur për të na dhënë informacionet e duhura. Kjo do të bëhet për herë të parë në vitin 2013, pasi një prej mjeteve tona në strategjinë kundër korrupsionit është raporti anti-korrupsion, i cili do të tregojë qartë pikat e forta apo të dobëta të vendeve anëtare në luftën kundër korrupsionit si dhe masat që ata kanë ndërmarrë”, deklaroi Michele Cercone, zëdhënës i KE për çështjet e brendshme.

Përveç korrupsonit, emërimet politike në institucionet e BE-së janë një tjeter fenomen që u denoncua në Parlament nga presidenti i së majtës europiane, Hannes Swoboda.

“Zoti Huan Françisko Korona, që ishte në detyrë si ekspert i Spanjës, i votuar nga PE për Gjykatën Europiane të Auditimit është politikisht i pavarur dhe ka CV mbresëlënëse, por kandidatura e tij është tërhequr në mënyrë artificiale, që të zëvendësohet me atë të zotit Baulidilio Tome, i cili është anëtar aktiv i Partisë Popullore spanjolle. Në CV-në e tij, zoti Tome thotë se ishte koordinator i programit partiak gjatë fushatës së fundit zgjedhore dhe se është anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Partinë Popullore vendase. Kjo është e papranueshme dhe e rrezikshme për shëndetin e institucioneve. Na vjen keq që Parlamenti Europian miratoi emërimin e tij. Me mosrespektimin e votës së parë, PPE ka minuar institucionet dhe ka politizuar Gjykatën e Auditimit”, deklaroi Swoboda.

Korrupsioni vlerësohet t’i shkaktojë BE-së një dëm prej 120 miliardë eurosh çdo vit. Përmasat e tij dhe përpjekjet e qeverive për ta luftuar këtë fenomen janë përfshirë vonë në politikën e zgjerimit të BE-së, si një kusht kyç në kriterin politik të Kopenhagenit për anëtarësimet e mëtejshme, një prej prioriteteve kyçe që duhet përmbushur nga Shqipëria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA