Automatiku legjendar Kallashnikov po tenton t’i mbijetojë kohës dhe inovacionit teknologjik duke rilindur në një version të ri e më të sofistikuar, që njihet si versioni i brezit të pestë.
Kështu, modeli “AK-47” do të zëvendësohet nga i riu “AK-12”, prototipi i të cilit është prezantuar në fabrikën e Izhveskut, në malet Urale, përpara kamerave të televizioneve.
Për të realizuar modelin e ri janë përdorur 10 teknologji të reja të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm efikasitetin e armës më të njohur automatike në botë.
Në këtë mënyrë, Kallashnikovi i ri do të jetë një armë më e thjeshtë, që do të mund të përdoret edhe me një krah të vetëm, ndryshe nga ai i vjetër që duhet të mbahej me dy duar.
“Modeli i ri do të jetë gjithashtu më preçiz, më i besueshëm dhe më rezistent, i pajisur me një optikë, me një karikator që mund të futet në krahun e majtë për mëngjarashët, një vëzhgues errësire, si dhe do të ketë opsionet për një të shtënë, tre të shtëna rresht dhe breshëri”, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i fabrikës, Maxim Kusiuk.
“AK-12” do të jetë pothuajse i pashkatërrueshëm, rezistent ndaj tronditjeve dhe rrëzimit, si dhe ndaj temperaturave ekstreme, deri në -54 gradë.
Arma në fjalë do të kolaudohet këtë vit dhe pas çertifikimit shtetëror do të nisë prodhimi në masë, që do të synojë tregjet e huaja, kanë bërë të ditur agjencitë ruse të lajmeve.
Top Channel