Juventusi shpërdoroi mundësinë për t’u rikthyer në vendin e parë të renditjes, duke mos shkuar më shumë se barazimi në fushën e Parmës, në një takim të prapambetur të Serisë A.
Me këtë rezultat, torinezët mbeten në vendin e dytë, një pikë pas Milanit, ndonëse kanë edhe një ndeshje tjetër për të rikuperuar.
Barazimi i arritur në “Tardini” u shoqërua me shumë polemika, pasi bardhezinjtë reklamuan një penallti pas një ndërhyrje në zonë ndaj Pirlos në fundin e lojës. Parma gjithashtu reklamoi një 11-metërsh, kur Giovinco u pengua në zonë në të 71’.
Ndonëse ende i pamposhtur pas 21 javësh, Juventusi po dëshmon një vështirësi kronike në shënimin e golave kundër rivalëve më të vegjël, ndonëse rastet nuk mungojnë.
Në dy episodet më të rrezikshme të takimit, Chiellini goditi shtyllën në të 4’, ndërsa drejt fundit të ndeshjes, Giaccherini shpërdoroi një mundësi të artë i vetëm përballë portës së vendasve.
Top Channel