Prokuroria e Milanos ka kërkuar dënimin me pesë vjet burgim për ish-Kryeministrin Silvio Berlusconi, i cili po përballet në gjykatë me akuzën e korrupsionit aktiv.
Njëra midis provave më të forta kundër Berlusconit konsiderohet se është pagesa prej 600 mijë dollarësh për një avokat britanik, në mënyrë që ai të gënjente rreth bizneseve dhe fitimeve të tij.
Megjithatë, mediat italiane vënë në dukje se afatet ligjore për trajtimin e çështjes janë tejkaluar, prandaj edhe nëse shpallet fajtor, ka shumë pak gjasa që 75-vjeçari të vuajë qoftë një ditë të vetme burgim.
Njëkohësisht, Berlusconi përballet në gjykatë edhe me dy procese të tjera, për evasion fiskal dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitura, vepër penale që në bazë të legjislacionit italian dënohet maksimalisht deri në 18 vjet burgim.
Ish-Kryeminstri konsideron veten të pafajshëm nga të gjitha akuzat. Sipas avokatëve të tij, çështja e korrupsionit, që do të nisë në gjykatë në 15 mars,është bazuar nga Prokuroria mbi dokumenta të falsifikuar.
Top Channel