“Në këto momente Irani përbën shqetësimin tonë më të madh”. Kështu ka deklaruar një nga përgjegjësit më të lartë të policisë së Nju Jorkut, Mitchell Silber.
Shef i seksionit të inteligjencës në Departamentin e Policisë së NY, Silber vlerëson se Teherani në këto momente përbën kërcënimin më të madh.
Kjo, për shkak të atentateve të kryera këto ditë në Bangkok, Nju Delhi dhe Tbilisi, të cilat sipas zyrtarit të lartë të policisë mund të pasojnë me një atentat në Manhatan.
Ditën e hënë një seri atentatesh me bomba vunë në shënjestër diplomatët izraelitë në Indi dhe Gjeorgji dhe dyshimet ranë mbi shërbimet sekrete iraniane.
Njëra nga bombat shpërtheu pasi ishte vendosur në një makinë diplomatike të ambasadës izraelite në Nju Delhi, duke plagosur një diplomat.
Ndërsa tjetra u gjet në në një makinë të të njëjtit lloj në Tbilisi, por u çaktivizua në kohë nga agjentët e sigurisë dhe truprojat që shoqëronin diplomatët.
Një ditë pas ngjarjes, ministri i Jashtëm indian deklaroi se atentati ishte organizuar nga një person i stërvitur mirë, i cili teksa udhëtonte me një motor kishte vendosur eksplozivin tek makina e diplomatit.
Ngjarjet në fjalë u pasuan me një tjetër shpërthim të ndodhur të martën në Bangkok, ku personi që do të aktivizonte eksplozivin humbi të dyja këmbët për shkak të një shpërthimi të parakohshëm.
Top Channel