Van Basten rikthehet trajner

14/02/2012 00:00

Legjenda holandeze e futbollit, Marko van Basten, do të rikthehet sërish në një rol aktiv në futboll, pasi do të marrë drejtimin e Herenvenit në fund të sezonit aktual.

Trajneri aktual i ekipit, Ron Jans, ka deklaruar se do të tërhiqet nga ky post pasi t’i skadojë kontrata, ndërsa Herenveni ka zyrtarizuar marrëveshjen me ish-sulmuesin e Milanit.

Caktimi i Van Bastenit ka ardhur si befasi, pasi kandidatë për pankinën ishin të tjerë emra të njohur, mes të cilëve edhe trajneri Luis Van Gal. Por drejtuesit e skuadrës kanë arritur akordin me 47-vjecarin Van Basten.

“Jam shumë i lumtur që u zgjodha trajner i Herenvenit dhe firmosa kontratën. Negociatat shkuan mjaft mirë dhe klubi tregoi besim tek unë. Herenveni është një ekip i shëndetshëm dhe mjaft sportiv”, tha Marko van Basten.

Pas një karriere impresionuese si futbollist, ku fitoi dy Kupa Kampionesh me Milanin, dhe një titull Europian me Holandën, ish-sulmuesi i njohur drejtoi kombëtaren e tulipanëve për 4 vjet, por pa rezultate për t’u shënuar.

Top Channel