
Disa nga figurat më të lartë të futbollit turk kanë dalë përpara trupit
gjykues në Stamboll, në një proces kundër fiksimit të rezultateve të
ndeshjeve, ku janë të pandehur rreth 100 persona.
Aziz Yildirim, president i klubit Fenerbaçe, dhe 92 persona të tjerë akuzohen për përfshirje në këtë skandal sportiv, që thuhet se ka përfshirë 19 ndeshje të sezonit të kaluar.
Qindra tifozë të Fenerbaçes kanë protestuar jashtë gjyqkatës, duke lëshuar parulla në mbrojtje të reputacionit të klubit, ndër më të rëndësishmit në Turqi.
“Qeveria mund të rrëzohet, inflacioni mund të ulet, por Fenerbaçe nuk mund të largohet kurrë”, kanë brohoritur tifozët, sipas agjencisë së lajmeve “AFP”.
“Emri ynë është mbuluar me baltë, por ne jemi të vendosur ta pastrojmë atë”, ka deklaruar për agjencinë në fjalë tifozi Sedat Dogan.
Klubi sportiv i Stambollit fitoi titullin kampion vitin e kaluar por u përjashtua nga Champions League për shkak të dyshimeve për përfshirje në skandalin e fiksimit të rezultateve.
Një nga ndeshjet që po hetohet është ajo ku Fenerbaçe ka fituar 4-3 ndaj Sivasportit, ndërsa ndër klubet e tjera të përfshira gjithashtu në hetim është Beshiktashi, që u detyrua të kthente trofeun e Kupës së Turqisë.
Të pandehurit në gjyq janë lojtarë dhe menaxherë nga klubet më të mëdha të futbollit. 23 prej tyre janë aktualisht në burg, përfshirë presidentin Aziz Yildirim.
Top Channel