Milan, Allegri: Pres shumë nga Ibra

14/02/2012 15:50

Massimiliano Allegri, tekniku i Milanit, ka përgatitur planin për përballjen ndaj Arsenalit në ndeshjen e së mërkurës në San Siro, të vlefshme për Ligën e Kampioneve. Ky plan është i thjeshtë: “Nuk duhet të hidhemi në sulm. Arsenali është një skuadër e madhe dhe duhet të bëjmë kujdes. Do të luhen 180 minuta lojë.”

“Duhet të kemi kujdes për të mos bërë gabime si në ndeshjen e vjetshme ndaj Tottenham (Milani u mund 0-1 në Itali). Duhet të kujdesemi për fazën mbrojtëse të lojës, të kemi durim dhe të mos lejojmë kundërsulmet e Arsenalit sepse kanë lojtarë të mëdhenj, jo vetëm Van Persin”, theksoi Allegri.

Përsa i përket tre lojtarëve të rikthyer nga dëmtimi, Boateng, Pato dhe Nesta, trajneri i kuqezinjve sqaroi: “Nuk mendoj se mund ta nisin ndeshjen nga fillimi, por deri nesër mbase ndërroj mendje. Gjithsesi, është kënaqësi t’i shohësh sërish me ekipin.”

Allegri është i bindur se Ibrahimovic do të bëjë një ndeshje të madhe ndaj ekipit anglez, duke lënë pas problemet e fundit të tij në kampionat ku është pezulluar për tre ndeshje pas një shuplake që i dha mbrojtësit Aronica, lojtarit të Napolit.

“Ibra gëzon një formë të mirë fizike dhe psikologjike. Për këtë arsye ai do të luajë një ndeshje të madhe”, deklaroi Allegri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA