Glasgow Rangers në kolaps financiar

14/02/2012 16:35

Një gjykatë në Skoci vendosi kalimin “nën administrim” të skuadrës së futbollit Glasgow Rangers, një ndër skuadrat më të suksesshme në historikun e futbollit skocez, vendim ky që i heq automatikisht edhe 10 pikë në renditjen e kampionatit të këtij sezoni.

Vendimi u mor pas një beteje të lartë ligjore mes përfaqësuesve të klubit dhe kreditorëve të tyre. Ishte vetë presidenti i Rangers, Craig Whyte ai që dorëzoi kërkesën në gjykatë për të kaluar klubin “nën administrim”, term që parashikohet nga legjislacioni skocez për të parandaluar falimentimin e kompanive në vështirësi financiare.

Ky kalim kufizon vendimmarrjen e pronarëve të klubit në aspektin financiar, por shmang gjithashtu edhe pagesën e disa taksave në shtet, si dhe ul përqindjet e interesave të huave të marra nga kreditorë të ndryshëm prej klubit.

Por përpjekjet për të dalë nga situata e vështirë financiare i kushtojnë mjaft ecurisë së klubit në këtë sezon në kampionatin vendas, pasi praktikisht, si dënim për mosshlyerjen e detyrimeve përkatëse ndaj federatës, Rangers dënohet me -10 pikë, duke e nxjerrë skuadrën praktikisht jashtë luftës për titullin kampion me rivalët e përjetshëm të Celtic Glasgow, si dhe në vendosjen e një embargoje transfertash, cka do të thotë që për sa kohë klubi është në këtë status, nuk mund të blejë apo shesë lojtarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA