Gaza, të stërvitesh mes plumbave

14/02/2012 00:00

Sportistët palestinezë që synojnë olimpiadën e Londrës që do të zhvillohet këtë verë, janë shfaqur shpesh me probleme burokratike dhe financiare, që kanë kushtëzuar pjesëmarrjet e tyre.

Stërvitja në kushte të vështira është pengesa kryesore e atyre që synojnë të jenë në lojërat e këtij viti, pasi shpeshherë sportistët përgatiten mes incidenteve në zonat e trazuara dhe konflikteve me armë.

Atleti 19-vjecar, Baha Al Farra stërvitet për të paktën 3 orë në ditë në stadiumin Jarmuk në Gaza, mes rrugëve të pluhurosura, ndërsa edhe uniformën ia kanë dhuruar shtetet fqinje.

Sportistët palestinezë e quajnë një arritje pjesëmarrjen në olimpiadë, dhe asnëherë nuk kanë pretenduar për zonën e medaljeve. Por 19-vjecari nga Gaza shpreson se tradita do të ndryshojë.

Flamuri i Palestinës u valëvit për herë të parë në olimpiadën e Atlantës në 1996 ndërsa më pas vazhdoi edhe në aktivitetet e tjera. 4 sportistë palestinezë do të jenë gjithashtu në Olimpiadën e Londrës me anë të ftesave dhe jo për arritjen e normave kualifikuese.

“Shpresoj që të thyej rekordin e Palestinës, por do të ishte ëndërr nëse ngjitem në podium. Dua të përcoj një mesazh pozitiv nga vendi im pavarësisht konflikteve në rajon”, tha 19-vjecari nga Gaza.

Top Channel