Faza me eliminim e Champions League

14/02/2012 00:00

Fillon sot faza e 1/16 të Champions League me kampionen në fuqi Barcelona. Katalanasit do të përpiqen të harrojnë sa më shpejt humbjen në kampionat me Osasunën në ndeshjen e mbrëmjes së sotme ndaj Bajern Leverkusenit.

Guardiola është i bindur dhe kërkon me ngulm që të zhvillohet një lojë brenda filozofisë së Barçës, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të fitojë pavarësisht vështirësisë së transfertës dhe temperaturave të ulta.

Ai vë theksin tek forca fizike e gjermanëve duke deklaruar se do të detyrohen të luajnë me kundërsulme, por nga ana tjetër të mos luajnë me topa në ajër pasi ata janë të gjatë.

“Bajer kanë lojtarë të mirë si Kishling dhe Shuerle, nëse nuk i mban nën kontroll ata të krijojnë probleme”, thotë Pep Guardiola.

“Objektivi ynë tani që na janë vështirësuar gjërat në kampionat është që të kalojmë në çerekfinale e t’i shohim gjërat një nga një në Champions”, shtoi tekniku katalanas.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme është ajo mes Lionit dhe Apoelit të Qipros. Skuadra qipriote u konsiderua si surprizë për këtë kualifikim deri në fazën e 1 të 16-ave dhe për këtë arsye Lioni nuk e sheh aspak si të nënvlerësuar këtë përballje pavarësisht se luajnë në fushën e tyre në këtë takim të parë.

Francezët vijnë pas humbjes 2-1 me Kaenin në këtë ndeshje dhe ky është një motiv më shumë që ata të mendojnë për një fitore të mundshme.

Lioni është skuadra gjysmëfinaliste e Champions Leagues në vitin 2010, por në këtë kampionat me një trajner të ri dhe lojtarë shumë të rinj, të cilët duan kohë për t’u konfirmuar, duket se janë ende në vështirësi.

Të dyja këto takime do të transmetohen drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel