Zyra e Presidentit serb njofton se, kreu i saj Boris Tadic ka marrë vendim që për çdo muaj të japë një shumë të caktuar dhe të mbajë financiarisht Amsera Rekan, të vetmen të mbijetuar të tragjedisë së Restelicës. Këtë presidenti i Serbisë pretendon ta bëjë derisa Amsera të mbushë 18 vjet.
Mbetet për të parë si do të reagojë familja Reka për këtë ofertë, pasi kanë marrë gjithë ndihmën e përkrahjen e institucioneve të Prishtinës. Pas ngjarjes tragjike të familjes Reka ku nga orteku i borës vdiqën 10 anëtarë, presidenca e Kosovës ndau një shumë prej 10 mijë eurosh për të vetmen të mbijetuar Amstera Reka.
Ndërkohë qeveria e vendit ka shprehur gatishmërinë e ndihmës mirëpo ende, nuk dihet nëse do të marrë përsipër rritjen e vajzës.
Megjithatë, pas ndërhyrjes së shtetit serb, për të ndihmuar Amsera Rekën del në skenë edhe Republika e Maqedonisë. Madje, kjo e fundit deklaron se, Amstera është shtetase e Maqedonisë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë prindërit e të mbijetuarës janë pjesëtarë të komunitet Goran dhe shtetas të Maqedonisë. Sipas mediave maqedonase Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek zhvillimet në Restelicë dhe nëse është e nevojshme shteti i Maqedonisë do të marrë kujdestarinë për këtë vajzë të vogël.
Nga MPJ bëjnë tëditur se në qoftë se të afërmit e saj nuk duan të kujdesen për Amserën, atëherë për të do të kujdeset Ministria maqedonase për Punë dhe Politikë Sociale.
Dje përfaqësues të Entit për prioritete kombëtare pranë MPJ-së, një përfaqësues i ambasadës në Prishtinë dhe Ismail Bojda nga shoqata e myslimanëve maqedonas e kanë vizituar fshatin ku ndodhi tragjedia e madhe.
Delegacioni i Maqedonisë u ka ofruar ndihmë autoriteteve kosovare për gjithçka që ata mendojnë se kanë nevojë. Në këtë fatkeqësi përkrah prindërve të Amserës, jetën e kanë humbur edhe dy shtetas të tjerë të Maqedonisë, njoftojnë mediat maqedonase.
Vlen të theksohet se Dragashi i Prizrenit njihet si një nga komunat më multietnike në Kosovë. Popullsinë e fshatrave të kësaj komune e përbëjnë shqiptarët, pjesëtarë të komunitetit turk, goranë, boshnjakët, etj.
Top Channel