Ambasadori gjerman në Beograd, Wolfram Mass ka deklaruar se shpreson që Serbia të përmbushë kushtet për marrjen e statusit kandidat në muajin mars, por nga ana tjetër është shprehur skeptik për një arritje të tillë.

“Nuk jam dhe aq optimist, por nuk jam as pesimist. Kushtet për kandidaturën janë të qarta dhe duhet thjesht të përmbushen”, ka deklaruar Mass.

Kushtet në fjalë janë: zbatimi i marrëveshjeve me Prishtinën, lejimi i qarkullimit të lirë të misioneve KFOR dhe EULEX, si dhe arritja e një marrëveshjeje për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Ndër të tjera, diplomati gjerman ka ritheksuar se Serbia e ka vendin në Evropë dhe ka kritikuar deklaratat e Partisë Demokratike të Vojisllav Koshtunicës, se Serbia humbet shumë me zbatimin e MSA-së.

“Kush e thotë këtë, ose nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, ose thjesht gënjen. Në tre vitet e zbatimit të MSA-së janë humbur 500 milionë euro, por janë fituar 1 miliardë e gjysmë”, ka deklaruar Mass.

Ndërsa muajin e kaluar, ambasadori gjerman u shpreh kundër idesë së qeverisë serbe që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet në bazë të rezolutës 1244.

“Rezoluta 1244 i takon së kaluarës. Ajo u prezantua në vitin 1999 dhe që atëherë kanë kaluar shumë vite”, deklaroi Mass për mediat serbe.

Diplomati nënvizoi se Gjermania ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu edhe shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian dhe të gjithë botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA