Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është shoqëruar të hënën paradite me debate të ashpra, në lidhje me çështjen e nënkryetarit Kreshnik Spahiu.

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka kërkuar që KLD-ja të mos e pranojë dorëheqjen e tij, me argumentimin se, ka një komision parlamentar hetimor për shkarkimin e tij. Sipas Halimit, shkarkimin duhet t’ia bëjë Parlamenti.

Por Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka hedhur në votë propozimin e qeverisë, duke e rrëzuar këtë kërkesë. Ajo ka pranuar dorëheqjen e Spahiut me tetë vota pro dhe pesë kundër.

Kuvendi tashmë duhet të zëvendësojë Spahiun si anëtar të KLD-së, pasi ai ishte zgjedhur gjatë një votimi në Parlament katër vjet më parë.

Hetimi për Spahiun, Komisioni shtyn një javë afatin

Ndërkohë, komisioni hetimor parlamentar për punën e ish-nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiut, ka vendosur të shtyjë afatin e hetimit të tij.

Vendimi u mor pasi në ditën e fundit kur ishte planifikuar të miratohej raporti përfundimtar, në sekretarinë e Kuvendit kanë mbërritur nga KLD një mori dosjesh dhe shkresash të kërkuara më parë nga komisoni hetimor.

Dokumentacioni përmban mbledhjet e KLD-së dhe proçesverbalet përkatëse për secilen prej tyre në vitet 2009, 2010 dhe 2011.

Por kryetari i komsionit hetimor, Enklelejd Alibeaj u shpreh se mes këtyre dokumenteve mungojnë ato që kanë të bëjnë me aktivitetin financiar të KLD-së në vitet 2009, 2010 dhe 2011.

Duke vendosur riçeljen e hetimeve për shkak të dokumenteve të ardhura nga KLD, kreu i komsionit Alibeaj, propozoi që sa i takon dokumentacionit financiar t’i drejtohet kryetarit të KLD-së dhe njëkohësisht presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Top Channel