Diskutimet për ndryshimin e Kodit Civil në komisionin e ligjeve kanë treguar se deputetët demokratë dhe socialistë nuk janë të aftë vetëm për polemika të ashpra politike, por janë po kaq të aftë edhe për ekspertizë teknike të ligjeve.

Kjo e dyta ishte atmosfera e vetme që mbizotëroi diskutimet e deputetëve për ndryshimet në Kodin Civil, miratimi i të cilave kërkon 3/5 e votave të Parlamentit.

Për rreth tre orë u kaluan me konsensus tre ndryshime, ndërsa 2 nene të tjera, për shkak të kompleksitetit të tyre që lidhet me detaje shumë teknike të shpifjes dhe fyerjes nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik, përfshirë edhe ato në internet, do të diskutohen të mërkurën.

“Nëse duam të mbrojmë reputacionin nga dëmi i mjeteve elektronike të komunikimit, duhet të kërkojmë reagim të shpejtë, sepse ai i vonuar nuk ta riparon kurrë dëmin”, deklaroi kryetari i komisionit Ilir Rusmali.

“Ne duhet ta mbështesim këtë propozim sepse është një risi që duhet rregulluar dhe më pas të shohim se cfrarë do të sjellë problematika e re”, u shpreh më pas deputeti socialist Fatmir Xhafaj.

Paralelisht me Kodin Civil, komisioni i ligjeve pritet të nisë edhe diskutimet për ndryshimin e Kodit Penal dhe nëse gjithçka ecën mirë nuk do të jetë e largët dita kur do të mbërrihet edhe tek gjykata administrative, me shpresën se brenda disa javësh mazhoranca dhe opozita do të miratojnë një nga prioritetet kyçe të Bashkimit Europian për Shqipërinë, votimin me konsensus të ligjeve me shumicë të cilësuar.

Top Channel