Dy persona të ngrirë janë gjetur në qendër të Shkupit nga ndihma e shpejtë. Sipas infomacioneve të para, bëhet fjalë për një burrë dhe një grua të moshës shtatëdhjet vjecare, që sipas të gjitha gjasave janë persona të pastrehë.

Më tepër informacione për këta persona nuk jepen, ndërsa nga Ndihma e Shpejtë thonë se vetëm në kryeqytet ky shërbim po bën rreth 120 ndërhyrje në ditë. Ndërkaq, për shkak të reshjeve intensive të borës në 24 orët e kaluara në Tetovë është themeluar Shtabi i Krizës.

“Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme të krijuar pas reshjeve të fundit të borës, Komuna e Tetovës ka formuar Shtabin e Krizës. Shtabi i Krizës njofton se do të jetë në shërbim të qytetarëve 24 orë ndërsa për raste urgjente ka lëshuar numrin e telefonit pa pagesë 195. Bëjmë apel që qytetarët të bëhen më të ndërgjegjëshëm, ta pastrojnë borën dhe mos ta hedhin në rrugë”, thotë Flakron Pustina, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Reshjet e mëdha të borës kanë përkeqësuar edhe sistemin elektroenergjetik në vend. Kjo ka ndikuar që qeveria të shpallë krizë energjetike në Maqedoni e cila do të zgjasë deri në fund të muajit.

“Në fazën e parë nuk do të ketë restrikcione deri tek amëvisëritë dhe kompanitë e mëdha, mirëpo do të kisha dashur të potencoj se me këtë vendim ne duam të ndalim exportin e energjisë elektrike nga Maqedonia në vendet tjera”, deklaron Valon Saracini, Ministër i Ekonomisë në Maqedoni.

Reshjet intensive të dëborës mbrëmjen e së dielës kanë kufizuar lëvizjen e të gjitha automjeteve, ndërsa helikopterët e Armatës së Maqedonisë nuk kanë mundur të shpërndajnë ndihmat nëpër zonat e izoluara. Trashësia maksimale e borës rreth 180 cm është shënuar në Kodrën e Diellit në Tetovë, ndërsa në Gostivar dhe Dibër trashësia e ka arritur deri në 90 centimetra. Reshje të borës në Maqedoni do të ketë edhe në tre ditët e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA