Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se nuk është e nevojshme krijimi i një ekipi të unitetit për të zgjidhur çështjen e veriut.

Krasniqi është shprehur se janë institucionet e Kosovës ato që kanë detyrën kushtetuese për të trajtuar këtë problem kaq të rëndësishëm e të ndjeshëm.

Ai ka theksuar se nuk ka biseduar me askënd për një projekt të tillë dhe se nuk është në dijeni që qeveria e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare të jenë duke punuar për ngritjen e grupit.

Ekipi i unitetit u krijua gjatë periudhës së negociatave për çështjen e statusit me Serbinë, të ndërmjetësuara nga i dërguari i posaçëm i OKB-së Marty Ahtisari, ku merrnin pjesë krerët e të gjitha partive politike, në pushtet dhe opozitë.

Ekipi në fjalë menaxhoi proçesin e bisedimeve deri në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, pas koordinimeve të Prishtinës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Për katër ditë bëhen plot katër vjet nga shpallja e Kosovës si shtet të pavarur e sovran, i cili është njohur nga 87 shtete të botës, ndërkohë që duhen edhe dhjetra të tjerë që vendi të anëtarësohet në OKB.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA