Olli Rehn, Zëvendës-President i Komisionit Europian i ngarkuar me çështjet ekonomike dhe monetare, mirëpriti dhe vlerësoi votën pozitive nga Parlamenti Grek.
“Në emër të Komisionit Europian, mirëpres votën pozitive të Parlamentit Grek për programin e dytë të dorëzanisë për Greqinë. Vota e djeshme është një shprehje e vendosmërisë që mbizotëron në vend për t’i dhënë fund spirales së paqëndrueshme të financave publike dhe humbjes së konkurrueshmërisë”, u shpreh Rehn.
“Dua gjithashtu të bashkoj zërin tim me qeverinë greke në dënimin e dhunës së papranueshme që shpërtheu dje në Athinë. Këta individë nuk përfaqësojnë shumicën e qytetarëve grekë të cilët janë me të vërtetë të shqetësuar për të ardhmen e vendit të tyre.”
Zëvendës-Presidenti i Komisionit shprehu besimin se përveç votës pozitive greke, kushtet e tjera për miratimin e dorëzanisë, përfshirë përcaktimin e masave konkrete për shkurtimin e 325 milion eurove (nga buxheti grek), pritet të përmbushen deri në takimin e radhës të jashtëzakonshëm të Eurogrupit, të mërkurën në Bruksel.
Greqia po përpiqet të sigurojë një kredi prej 130 miliardë eurosh nga Bashkimi Europian dhe Fondi Ndërkombëtar Monetar, për të shmangur falimentimin e financave publike, i pashmangshëm në mars në rast të mospërmbushjes së kushteve për marrjen e huasë.
Përgatiti: Arta TOZAJ, Bruksel
Top Channel