28 marsi vazhdon të krijojë shumë makthe dhe të risjellë kujtime të këqija në Podujevë.
Në vitin 1999, një prej masakrave më të mëdha të Luftës së Kosovës ndodhi pikërisht në këtë qytet, kur njësitë e policisë speciale, të quajtur “Skorpionët”, ekzektuan 14 gra dhe fëmijë.
Në një ekspozitë që të kujton ato të famshmet që organizohen për Holokaustin, tre nga pesë të mbijetuarit, Saranda, Jehona dhe Fatosi vendosën të sjellin në vëmendje ngjarjen e kobshme të ilustruar me foto dhe detaje të tjera nga ajo ditë.
Saranda Bogujevci, e cila humbi atë ditë tetë antarë të familjes së saj, ishte e pranishme në studion e “Pasdites”.
“Lufta nuk duhet të harrohet, kjo është shumë e rëndësishme për historinë dhe të ardhmen e Kosovës. Si familje kemi mposhtur dhembjen për ta bërë këtë dhe çështjen tonë e kemi përcjellë edhe në media të huaja”.
Ajo ishte fare e re kur familja dhe të gjithë njerëzit që kishte dashur ndonjëherë u shuan nga plumbat e paraushtarakëve serbë. “Isha 13 vjeçe… Ishte dita e Bajramit kur ndodhi ngjarja. Policia serbe hyri në banesën tonë, na larguan ga shtëpia dhe na çuan tek oborri i një komshie, ku kanë filluar të qëllojnë në drejtimin tonë. Unë jam plafgosur me 16 plumba, Jehona me 11, nërsa Liria mbeti e plagosur në fyt dhe për tetë muaj me radhë hante nëpërmjet një tubi në stomak. Fatosi e Genci, dy të mbijetuarit e tjerë, u plagosën në këmbë”, thotë Saranda, për ditën që ndryshoi përgjithmonë jetën e sa.
“Unë humba tetë antarë të familjes, Nënën me dy vëllezër, xhaxhain, vajzën e tij, gjyshen, hallën dhe nusen e saj. Familja e Enver Duriçit, fqinjëve tanë, u shua komplet. Atij i vranë, prindërit, gruan dhe katër fëmijë, më i vogli dy dhe më i madhi 14 vjeç”.
Ekspozita që tashmë po shfaqet në Tiranë, është shumë e rrallë në llojin e saj. “Fillimisht, ishte galleria kombëtare në prishtinë, ajo që hapi ekspozitën tonë gjatë vitit të shkuar. E pamë të arsyeshme që prezantimi të behej në Kosovë, sepse atje ka ndodhur kjo masakët dhe sepse atje duhet të kujtohet më shumë. Ndonëse historia jonë ka qenë e njohur në Kosovë, ekspozita ka shërbyer për të treguar detaje të shumta që askush nuk i ka ditur”, rrëfen Saranda.
“Emocionalisht… Është shumë e vështirë, por dhomën e kemi lënë ashtu siç ishte në momentin kur ndodhi masakra. Kemi lënë një video, të vetmen që nuk u shkatërrua, që tregon se si festonim të gjithë Vitin e Ri 1990, kur unë isha vetëm pesë vjeç. Kemi orën e motrës që ngeli kur e vranë, bluzën e Gencit me vrimën ku hyri plumbi dhe njollën e gjakut, trungun e familjes dhe fotografitë e asaj që ndodhi”.
Pas Tiranës, hapi i radhës do të jetë dërgimi i ekspozitës në Beograd. “Nisma jonë është pritur shumë mirë, në kuptimin që e kanë përkrahur dhe janë shprehur mirënjohës që e kemi krijuar. Hapi i radhës, do të ekspozohet në Beograd, sepse ata ende nuk e pranojnë që këto gjëra kanë ndodhur me të vërtetë në Kosovë”.
Top Channel