Diskutimi i ligjit të mediave, dëgjohen grupet e interesit

13/02/2012 00:00

Aktorët kryesore të interesit, të ftuar në Komisionin e Mediave për të
diskutuar mbi Projektligjin për Mediat Audiovizive kanë theksuar, se
projektligji me strategjinë kanë mospërputhje thelbësore, çka e bën të
pazbatueshëm në afatet e përcaktuara nga Bashkimi Europian, i cili
kërkon, që deri në vitin 2015 operatorët të kalojnë nga transmetimet
analoge në ato numerike.

Drejtori i Përgjithshëm i “DigitAlb”, Alban Jaho ka theksuar se ky projektligj, por edhe strategjia kanë probleme thelbësore. Sipas zotit Jaho për një periudhë tranzitore deri në vitin 2015, secili nga operatorët ekzistues analogë duhet të ketë të drejtë të krijojë rrjetin e vet numerik.

Mundësia e parë që duhet të ofrohet, duhet të jetë ajo që nxitet nga konkurrenca e lirë dhe zgjedhja e vetë operatorëve ekzistues, analogë apo numerikë.

“Duke qenë se ka një detyrim nga Bashkimi Euriopian, që në qershor të vitit 2015, Shqipëria duhet të kalojë në transmetimet dixhitale dhe duke qenë të pamundur për të marrë përsipër angazhimin për ta kthyer gjithë tregun, merren vetëm me TVSH-në, për të qenë në rregull para një angazhimi. Nuk është kështu. Sepse edhe në strategji po ta shikoni nuk flitet në asnjë moment, për licensimin e operatorëve rajonale apo lokalë, të cilët do të duhet të operojnë për transmetimet dixhitale. Flitet vetëm për Televizionin Shqiptar, merret përsipër vetëm roli i dixhitalizimit për këtë televizion shqiptar, por se cfarë do të ndodhë me tregun si me operatorët si ekzistues, si me të rinjtë nuk thuhet asgjë. Pra do të hyjmë sërish në një cikël vicioz që nuk do të na cojë gjëkundi. Ne propozojmë që procesi i dixhitalizimit, të jetë një proces liberal. E ka bërë Italia një shembull të ngjashëm. Deri në 2015, secili nga operatorët analogë ka të drejtën që ta dixhitalizojë veten e tij dhe kjo është mjaft e thjeshtë, sepse nuk është menduar, jo vetëm për ne, por nuk është menduar as për infrastrukturën e operatorëve analogë si “Top Channel”, “Klan”, “Vizion Plus”. Cfarë do të bëjën në 2015 me aparaturat që kanë, ku do t’i cojnë ato? Askush nuk i ka menduar të tilla pasoja dhe efekte. Kur të niset një proces dixhitalizimi, për mua duhet të shohim tregun. Kur konvertohet tregu në dixhital atëherë harmonizohen të gjithë faktorët”, tha Jaho.

Përfaqesuesi ligjor i “Top Media Group”, Sokol Nako ka theksuar se në kuadrin ligjor është domosdoshmëri heqja e kufizimeve në tregun e reklamave, si dhe duhet të ashpërsohet kontrolli, pasi tregu po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga pirateria.

“Kemi ngritur disa shqetësime, siç është ajo e kufizimeve që përcaktohen si për natyrën komerciale, duke vënë një limit apo një tavan për sasinë e reklamës, që një operator mund të menaxhojë dhe që e gjykojmë, që është e padrejtë, sepse edhe nëse kjo do të bëhej me synim mbrojtjen e një konkurrence në treg, ne gjykojmë që ka një strukturë ligjore dhe institucionale, që mbron konkurrencën në të gjithë sektorët dhe nuk kishte përse sektori i medias të bënte përjashtim. Ngritëm problemin që kufizimet e dhëna për prioritetin e pronësisë në media janë tashmë të tejkaluara, nuk i shërbejnë zhvillimit të medias. Ato edhe në stadin aktual janë të kapërcyera, ndaj kemi sygjeruar që në Projektligjin e paraqitur, këto të reflektohen përkatësisht, pra të ndryshojnë”, tha Nako.

Kryetarja e KKRT-së Endira Bushati tha se kerkohet qe Projektligji per Transmetimet Numerike te rregullohet pas miratimit të strategjisë. Nga ana tjeter zonja Bushati theksoi se KKRT-ja nuk ka struktura për vjeljen e gjobave nga subjekteve që piratojne.

“Vëmë re që masa e sanksioneve me gjobë është e njëjtë me ligjin ekzistues. Unë këtu bie në një mendje me operatorët privatë dhe me shoqatat e Mbrojtjes të Drejtave të Autorit, që nga këto masa sidomos përsa i përket piraterisë televizive, unë mendoj që ne duhet ta ngremë masën. Projektligji parashikon se ekzekutimi i gjobave do të bëhet nga Shërbimi Përmbarimor dhe ka lënë të pazgjidhur rastet e ekzekutimit të vendimeve të tjera. Cfarë ndodh në praktikë? Ne heqim licensën me vendim, nuk kemi mjete, nuk kemi njerëz dhe nuk kemi kompetencë ligjore si të realizojmë këtë ekzekutim të vendimit. Ka sot me dhjetëra operatorë në treg, të cilët sipas vendimit tonë nuk duhet të operojnë. Ne nuk i drejtohemi dot Tatimeve, se ata thonë se nuk është kompetencë e tyre, prandaj futja e Shërbimit Përmbarimor për ekzekutimin, është realisht e vlerësueshme”, tha Bushati.

Ne kete seancë ishin të ftuar edhe përfaqësues të tjere te grupeve te interesit, te cilet kerkuan edhe ata përmirësime të ligjit. Drejtori i Përgjithshëm i “Vizion Plus”, Genc Dulaku thekoi se taksat per frekuencat jane me te lartat në rajon dhe KKRT ka vendosur kufizime për tregun e reklamave për programet aktuale.

Drejtori i Përgjithshëm i TVSH-së, Petrit Beci tha se në këtë projektligj ka probleme me zbatueshmërinë, si dhe do të kërkohen amendime nëse strategjia do të miratohet e tillë.

Dy relatoret kryesorë të Projektligjit per Mediat Audio-vizive kanë theksuar se i pranojnë sygjerimet e aktorëve të interesit dhe do të punojnë për një sinkronizim sa më të mirë të kërkesave të aktorëve të interesit me ato të Bashkimit Europian.

“Liberalizimi që kërkojnë operatorët është një mjet që të arrihet sa më shpejt afati dhe ne do të bëjmë një përputhje dhe përshtatje midis kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian dhe kërkesave të bëra nga operatorët. Sinkronizimi i këtyre dy kërkesave do të ishte edhe me qëllimin tonë, i cili ka përparësi zbatimin e ligjit”, tha deputeti Alfred Dalipi.

Ndërsa relatori tjetër, deputeti demokrat Mark Marku tha: “Unë jam që të gjithë aktorët të kenë të drejtë të jenë në garë. Të krijohet mundësia e konkurrencës në tregun dixhital. Normalisht pa penalizuar aktorët aktualë, sepse gjithësesi ata kanë një pjesë të konsiderueshme të këtij tregu dhe kanë një rol në ngritjen e këtij tregu në Shqipëri”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB