Pohimeve dhe mohimeve të vizitës së Robert Cooper në Kosovë duket se po u vjen fundit, pasi vetë Brukseli ka njoftuar se ndërmjetësi i BE-së do të jetë të martën në Prishtinë.

Ka qenë vetë zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Koçijançiç që e ka konfirmuar lajmin për “REL”.

“Po, Cooper do të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur raundin e ardhshëm të dialogut me Beogradin”, ka deklaruar zëdhënësja.

Me qëllim rifillimin e dialogut dypalësh, Cooper zhvilloi në Vjenë një takim me negociatorin serb Borisllav Stefanoviç, ku diskutoi për përfaqësimin e Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.

Dialogu për çështjet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit ka filluar në mars të vitit të kaluar dhe deri tani, me ndërmjetësimin e BE-së, janë zhvilluar në disa raunde.

Beogradi nuk lëviz nga qëndrimi që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nga ana e tyre, autoritetet kosovare deklarojnë se Kosova në nismat rajonale do të paraqitet e barabartë me të tjerët dhe se rezoluta 1244 është e tejkaluar.

Në këtë drejtim, qeveria kosovare mori mbështetjen e asaj shqiptare, gjatë një takimi që negociatorja Edita Tahiri zhvilloi me kryeministrin Berisha po javën e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA