Bora, shpërngulen shtatëzënat

13/02/2012 19:55

Gratë shtatëzëna në muajin e shtatë, banore të zonave të bllokuara nga dëbora, do të transportohen në maternitetet e rretheve, për të mos rrezikuar jetën e bebeve dhe të tyren për shkak të vështirësive të krijuara nga moti i keq.

“Kemi urdhëruar që dje largimin e grave shtatëzëna 7 muaj e sipër dhe u kemi sugjeruar autoriteteve lokale transportin e tyre në maternitetet e rretheve deri në kalimin e kësaj situate, në mënyrë që të shmanget një lindje në kushte të vështira”, deklaroi Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë.

Vasili tha se janë urdhëruar drejtuesit e qendrave shëndetësore që të marrin mami me kontarta shërbimi në ato qendra ku mungojnë me qëllim për t’u ardhur në ndihmë grave shtatëzëna.

Nga ana tjetër, sipas ministrit, në të gjitha qendrat shëndetësore janë dërguar paketa me medikamente rezervë dhe në varësi të kushteve të motit do të dërgohen dhe të tjera, me qëllim që të mos krijohen mungesa për banorët në nevojë.

Sipas Vasilit, i gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri në këtë situatë. Në kuadër të kësaj nisme, pasditen e së hënës një 33-vjeçare shtatëzënë në muajin e nëntë u transportua me helikopter nga Lekbibaj tek materniteti “Koço Glozheni”.

Top Channel