Berisha: Të rishikohet historia

13/02/2012 00:00

Në orët e pasdites së hënë, kryeministri Sali Berisha mblodhi Komitetin Ndërministror për 100-vjetorin e Pavarësisë.

Ky Komitet është i ngarkuar me organizimin dhe koordinimin e dikastereve të qeverisë për festimet jubilare të 100-vjetorit të shtetit shqiptar.

Kryeministri Berisha foli për programin e ceremonive festive, të cilat sic tha ai, do të shtrihen gjatë gjithë vitit, pasi ky është një vit jubilar për shqiptarët. Zoti Berisha tha se në këtë përvjetor, shqiptarët më shumë se kurrë kanë nevojë të mësojnë të vërtetat e tyre historike, larg manipulimeve politike. Ai foli për një rishikim të historisë, gjë që sipas tij, duhet ta bëjnë historianët dhe studiuesit me objektivitet dhe pjesë e rishikimit të bëhen edhe figurat që bashkëpunuan me pushtuesit, për t’i përcuar sic tha ai, përpara shqiptarëve ashtu sic janë e jo sipas vlerësimit “bardh e zi” të bërë deri më sot.

“Veprimtaritë për 100-vjetorin do shtrihen në të gjithë vitin, pasi ky është një vit jubilar. Do shënohen ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, deri më 17 shkurt 2008. Po punohet për ta shndërruar këtë vit në vitin e të vërtetave të mëdha kombëtare pasi shqiptarët më shumë se kurrë kanë nevojë për të vërtetat, larg manipulimit të historisë. Kombi ka më shumë nevojë për të vërtetat e pamanipuluara. Por këto nuk janë cështje të politikës, janë cështje të historianëve dhe historianët dhe studiuesit duhet t’i trajtojnë ato me objektivitet, të mos i shohin bardh e zi”, deklaroi Berisha.

Reagon Rama në “Twitter”

Kryesocialisti Rama ka reaguar përmes rrjetit social Twitter duke theksuar se “teksa Shqipëria digjet nën dëborë Saliu krihet duke molloisur për Azerbajxhanin paradite e për Zogun dhe Enver Hoxhën pasdite”.

E për më tepër sipas kryesocialistit, “cili është ai kryeminister në botë që nuk do të qëndronte në krye të operacioneve por do të merrej me mufka si kryeministri shqiptar”.

 

Top Channel