Rama: Shteti humbi luftën me krimin

12/02/2012 00:00

“Është shtuar më shumë se dyfish shifra e kriminalitetit vjetor në vetëm 3 vjet. Nga 94 vrasje para tre vjetësh, 137 vrasje tani; afro dyfish krimet kundër pronës, dyfish vjedhjet me dhunë në të njëjtin hark kohor; më shumë se dyfish vjedhjet me armë; vjedhjet e banesave janë në hov të paparë, rritje galopante edhe në vjedhjet e kompanive private; gati katërfish vjedhjet e quajtura të tjera; pranë dyfishimit armëmbajtjet pa leje; pesëfish shkeljet e qarkullimit rrugor. Shifra të frikshme, por edhe më e frikshme tendenca në ngjitje e tyre.”

Me këto të dhëna rreth gjendjes së kriminalitetit në vend, Edi Rama ka zgjedhur të nisë editorialin e tij pothuajse të përjavshëm, por megjithëse qëndrimi i kreut të opozitës ndryshe nga çdo herë tjetër këtë javë vjen në formë elektronike, ajo që nuk ka ndryshuar është reagimi i ashpër i tij për mënyrën se si qeveria, sipas tij, po i lë fushë të lirë krimit në Shqipëri dhe po përpiqet të fshehë atë që ai e quan “trajektore në ngjitje të kriminalitetit”.

“Shifrat e publikuara prej nesh janë nxjerrë nga brenda Ministrisë së Brendshme. Janë shifra të frikshme dhe edhe më e frikshme është tendenca në ngjitje e tyre. Ngjitje e vazhdueshme që përkon me rënien e shtetit. Këto shifra janë nxjerrë nga brenda Ministrisë së Brendshme, aty ku është gatuar edhe fshehja e turpshme e tyre. Kemi të dokumentuar po ashtu edhe metodën e manipulimit të Ministrisë së Brendshme me shifrat e rreme që ka përdorur për të gënjyer publikun në kuadrin e propagandës së përgjithshme qeveritare.”

Sipas kreut të opozitës, kjo gjendje e ka zanafillën në sjelljen antisociale të qeverisë që, siç thotë Edi Rama, kujdeset për punët e veta dhe jo për punët e Shqipërisë. Në editorialin e tij, Edi Rama e cilëson Sali Berishën si dirigjentin e propagandës qeveritare, që përpiqet të fshehë dhe manipulojë si epërsinë e krizës ekonomike, ashtu edhe epërsinë e krimit ndaj shtetit. Madje sipas Edi Ramës, me sjelljen anti-shtet, qeveria është bërë konkurrente e krimit, por siç thotë ai në fund të editorialit, kjo situatë nuk do të zgjasë edhe për shumë kohë.

“Kjo qeveri do të vazhdojë rrugën pa kthim të falimentimit të shtetit e të shpartallimit të moralit publik e politik përmes fjalëve e veprave të saj të ulëta. Derisa, në zgjedhjet e ardhshme të marrë ndëshkimin e shumëmerituar e t’u hiqet sysh shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Për t’ia lënë vendin opozitës së sotme duke i hapur rrugë realizimit të programit tonë për një Rilindje Shqiptare. Sot krimi e ka fituar luftën me shtetin. Nesër, përmes qeverisë sonë të re dhe programit tonë të qartë kundër krimit e shkaqeve të krimit, shteti do ta fitojë luftën me krimin.”

Top Channel