Kryeministri i Greqisë, Lukas Papadhimos, paralajmëroi vendin për një “kolaps” të plotë të nivelit të jetesës në vend, nëse reformat e ashpra që do të lejojnë marrjen e një kredie madhore prej 130 miliardë eurosh nuk do të zbatohen.
Papadhimos iu adresua kombit me një fjalim mbrëmjen e së shtunës, ndërsa pranoi hapur situatën kritike që është duke përjetuar vendi.
Në mënyrë që Athinës t’i akordohet huaja e domosdoshme për të mos falimentuar brenda marsit, rroga minimale duhet të ulet me 20% duke shkuar në 600 euro, pensionet do të shkurtohen përsëri, ndërsa 15 mijë persona do të largohen nga puna në administratë.
Ndonëse një konsensus politik është arritur, protesta të fuqishme kanë paralizuar tërësisht jetën e vendit, ndërsa në përleshjet me policinë janë regjistruar disa të plagosur.
Të përballur me këtë situatë kritike, pesë Ministra dhanë dorëheqjen e tyre të parevokueshme nga qeveria teknike që drejton vendin deri në zgjedhjet e prillit.
”Kostoja sociale e këtyre masave të reja shtrënguese është e vogël në krahasim me katastrofën ekonomike dhe sociale që do të pasonte në rast se nuk zbatojmë masat e kërkuara”, u shpreh Papadhimos.
”Nëse nuk arrijmë të marrim kredinë e radhës, kursimet e qytetarëve do të humbasin, qeveria do të jetë e pamundur të paguajë pensionet dhe pagat, ndërsa importi i karburanteve, ilaçeve dhe makinerive do të paralizohej”.
Më parë, edhe lideri më i madh i opozitës, Antonis Samaras, u shpreh se plani i kursimeve i kërkuar nga kreditorët dhe BE për të akorduar “superkredinë”, duhet të miratohet.
Top Channel