Tubime masive kanë thirrur ditën e mërkurë në Athinë dhe Selanik organizatat e minoritetit grek në bashkëpunim me homogjenët e riatdhesuar nga ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, në shenjë proteste për ndërprerjen e pensioneve të tyre nga Organizmi i Sigurimeve Agrare të Greqisë, OGA.

Në orën 13:00 të së mërkurës, mijëra vetë do të mblidhen para Ministrisë së Punës në Athinë, ndërsa edhe në Selanik organizata Omonia e këtij qyteti do të protestojë së bashku me homogjenët rusë, duke marshuar nga sheshi qendror Aristotelis drejt Ministrisë së Maqedonisë dhe Trakes.

Prej të enjtes së kaluar, 18.000 minoritarëve nga Shqipëria dhe 35.000 të riatdhesuarve nga Rusia, mbi moshën 65 vjeç, u janë dërguar urdhër-njoftimet për ndërprejen e pensioneve të tyre në bazë të ligjit 4093/2012, që ka votuar Parlamenti grek në kuadrin e kushteve për marrjen e ndihmës ekonomike nga BE dhe FMN.

Sipas ligjit të ri, për të marrë dikush nga personat e mësipërm pensionin minimal të këtij enti sigurimesh, do të duhet të mos përfitojë apo të mos ketë të drejtë ligjore për pension nga çfarëdo lloj skeme private apo shtetërore, brenda dhe jashtë Greqisë, pavarësisht shumës, të ketë qëndrim të përhershëm dhe të ligjshëm në Greqi në 20 vitet e fundit dhe të mos ketë të ardhura vjetore nga burime të tjera që kalojnë limitin e 4.320 eurove.

Duke marrë parasysh faktin që pothuajse të gjithë të moshuarit homogjenë që përfitonin deri tani pensionin në fjalë prej 350 eurosh, nuk plotesojnë këto kushte, bëhet e qartë se Athina zyrtare ka rënë dakord që në kuadrin e masave të ashpra për shumicën e popullsisë të mos kursejë edhe 53.000 homogjenët e saj të moshuar, të cilët përveç pensioneve tepër minimale që marrin nga ish-vendet e tyre, nuk kanë asnjë lloj të ardhure tjetër, ndërsa shpenzimet shëndetësore për ta janë të papërballueshme.

Organizatat e minoritarëve nga Shqipëria dhe të riatdhesuarve nga Rusia vlerësojnë se kjo masë çon të gjithë homogjenët e moshuar drejt një zhdukjeje biologjike, drejt vdekjes. Ndërkohë, anullimin e këtij ligji e kanë kërkuar edhe 40 deputetë të Parlamentit grek, midis tyre deputeti minoritar Pirro Dhima dhe anëtarë të tjerë të partive të koalicionit, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal në të gjithë vendin.

Top Channel