Berisha shpall gjendjen e fatkeqësive natyrore

12/02/2012 21:39

Kryeministri, Sali  Berisha shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Shkodër, Kukës Dibër, Korcë dhe Librazhd.

Kryeministri gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë foli për gjendjen e vështirë që ka përfshirë vendin. Ai kërkoi nga ministrat përkatës marrjen e masave dhe përgatitjen për rëndimin e situatës.     

“Gjysma e territorit të vendit e mbuluar me sasi të mëdha bore. Do bëjmë gjithçka për të shpëtuar jetët dhe pasuritë e qytetarëve. U bëj thirrje banorëve të shamangin në maksimumin e mundshëm udhëtimet, pasi ndihma jo në çdo moment mund të arrijë në kohën e duhur. Nuk ka asgjë për t’u përfshirë nga paniku, por duhet urtësi dhe maturi. Deri tani gjendja është përballuar me sukses”, tha Berisha.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani bëri një përmbledhje të situatës dhe masat që janë marrë për përballimin e saj.  

“Kemi vënë në gadishëmri të plotë regjimentin e helikopterëvë. E kemi mbajtur nën kontroll situatën në shkolla në të gjithë vendin.
Janë mbajtur kontakte me sallën operative dhe Shtabin e Emergjencave Civile.  Janë rreth 100 forca pune, që punojnë me tre turne për të dërguar ndihma në Veri dhe Jug-Lindje”, tha Nishani.

Ministrat Vasili, Ruli, Olldashi dhe Ksera bënë me dije masat që kanë marrë ministritë që ata drejtojnë dhe koordinimet mes tyre për stabilizimin e situatës. Ndërsa Minsitri i Arsimit, Tafaj bëri me dije që në katër qarqe të vendit janë mbyllur shkollat.

Më herët kryeminstri Berisha ishte në qytetin e Kukësit, ku ndoqi nga afër situatën e krijuar.  

Bashkia e Tiranës,  100 mijë euro për zonat e  bllokuara

Bashkia e Tiranës ofron 100 mijë euro për banorët e zonave të bllokuara nga reshjet e borës. Fondi prej 100 mijë eurosh i Bashkisë së Tiranës i jepet Shtabit të Emergjencave Civile.

Bashkia e Tiranës, gjithashtu ofron edhe kapacitete njerëzore për përballimin e situates në këto zona.

Top Channel