
Moti i keq ka çoroditur kalendarin e kampionatit italian. Autoritetet e futbollit shtynë për një tjetër datë takimet Bolonja-Juventus, e parashikuar për të dielën në orën 20:45 dhe Parma-Fiorentina e parashikuar për t’u luajtur po ditën e dielë por në orën 15:00.
Reshjet e dendura të dëborës kanë bërë që fusha e stadiumit Dall’Ara të Bolonjës të mos jetë funksionale për takimin e së dielës mbrëma mes Bolonjës dhe Juventusit. E njëjta panoramë paraqitet edhe në fushën e Parmës, kryeqendrës emiliane. Parashikimet meteorologjike nuk janë aspak optimiste dhe dëbora e acari rrezikojnë seriozisht zhvillimin e të tjera takimeve të Serisë A.
Për momentin, përvec këtyre dy sfidave, ndeshjet e tjera parashikohet të luhen, duke nisur që nga ndeshja hapëse e javës, ajo mes Udinezes dhe Milanit që luhet në orën 18:00 dhe Kaljari-Palermo që luhet në orën 20:45 të ditë së sotme.
Ende nuk është vendosur një datë për zhvillimin e dy takimeve të shtyra, ndërsa për të njëjtat arsye, dy javë më parë u shty Parma-Juventus, e cila premton të zhvillohet në mesjavë, nëse moti nuk rezervon surpriza të tjera.
Milani përballë Udinezes me shumë mungesa
Milani do të përballet me Udinezen sot në orën 18:00, një sfidë shumë e vështirë kjo për kuqezinjtë, shto faktin që vuajnë mungesa të shumta cilësore në skuadër.
Jashtë fushës, përvec të dëmtuarve është edhe sulmuesi Zlatan Ibrahimovich, i ndëshkuar me 3 javë pezullim pas gjestit të kryer ndaj Aronica-s në ndeshje Milan-Napoli të një jave më parë.
Megjithatë, trajneri i Udinezes, Guidolin deklaroi se nuk ia “kishte besën” Milanit.
“Edhe pse pa Ibrën, Milani mbetet një skuadër superiore në krahasim me Udinezen dhe klasifikimi thotë se ata janë 3 pikë më shumë se ne dhe në cdo ndeshje kërkon të vendosë nën kontroll kundërshtarin, është një skuadër kampione, një ‘bishë e plagosur’ që duhet t’i druhemi më shumë”, deklaroi para mediave Guidolin.
Top Channel