Aksidentohet autobusi i linjës Shqipëri-Greqi

11/02/2012 08:25

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në vendin e quajtur Kalpaqi, 20 kilometra nga kufiri shqiptaro-grek në Prefekturën e Janinës.

Për shkaqe që ende nuk dihen, autobusi i linjës me 49 pasagjerë në bord, ka dalë nga rruga dhe u përmbys rreth orës 04:00 të mëngjesit të së shtunës.

Si pasojë e aksidentit disa pasagjerë kanë marrë plagë të lehta, për fat jo fatale. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe dërgoi në qendren mjekësore pasagjerët e plagosur.

Sipas policisë, shkak për aksidentin mund të  ishte shtresa e akullit, që kishte mbuluar zonën në orët e para të mëngjesit. Policia tha se ka shoqëruar shoferët e autobusit, të cilët nuk rezultuan të kenë konsumuar alkool.

Prej verifikimeve të para, mjeti i aksidentuar nuk ecte mbi normat e lejuara, ndërsa po vijon  ekpertiza për ngjarjen. Burime policore i thanë Top Channel se një ndër pistat e aksidentit mund të jetë edhe vjetërsia dhe gjendja tepër e amortizuar  e autobusit, i cili është prodhim i vitit 1993.

Ky është aksidenti i tretë me autobusë të linjave shqiptare në Greqi  gjatë një viti. Autoritetet greke thonë se liberalizimi i tregut të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve është bërë pa asnjë kriter teknik lidhur me sigurinë dhe certifikimin e mjeteve me certifikatë sigurie “Euro 2” deri në “Euro 5”, sipas standardeve europiane, cka i ka hapur rrugën konkurencës se pandershme dhe informalitetit tepër të lartë në këtë treg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA