Moti i keq ka bllokuar shumicën e vendeve të rajonit për shkak të lartësisë së dëborës dhe reshjeve të vazhdueshme.

Serbia dhe Bosnjë e Hercegovinë kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërkaq në Podgoricë, që rrallë ndodh të bierë borë për njëkohë të gjatë, ka arritur në 52 centimetra ose në lartësinë më të madhe në 63 vjetët e fundit.

Qarkullimi hekurudhor është bllokuar në shumë zona dhe rrugët janë po ashtu të bllokuara. Ndërsa temperature më e ulët ka arritur në zonat malore të Serbisë në minus 36 gradë. Sipas raporteve të fundit, në Bosnjë është raportuar për nëntë persona të vdekur.

Në Kroaci janë shënuar viktimat e para po ashtu, ndonëse situata është më e kontrolluar përveç disa qyteteve si Spliti, ku për disa ditë qindra persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të thyerjeve të ndryshme.

Në Serbi është shënuar numri më i madh i viktimave, deri më tani 19 të vdekur. Qarkullimi është bllokuar edhe në lumin Danub në Serbi, që ka transport të mallrave në shumë vende, pasi lumi ka ngrirë pas 26 vjetëve në zonat e Bullgarisë.

Ndërsa ditë më parë edhe presidenti Serbisë, Kroacisë dhe udhëheqësi i Bosnjës u bllokuan gjatë një takimi në Jahorinë, afër Sarajevës.

Top Channel