Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po vazhdon vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë një mbështetje të qartë për qëndrimin e Prishtinës në lidhje me krahinat veriore të populluara nga serbët.

Siç informonte “Telegrafi”, pas pjesëmarrjes në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe takimeve me shumë diplomatë në Nju Jork, Hoxhaj ka udhëtuar në Uashington ku po zhvillon takime me përfaqësues të Kongresit të SHBA-ve dhe diplomatë e zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror të administratës amerikane.

Ministri Hoxhaj është takuar midis të tjerave edhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në kuadër të lobimit të vazhdueshëm për të rritur numrin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Gjatë vizitës në Uashington, Hoxhaj ka zhvilluar takime të ndara me disa kongresmenë amerikanë. Në takimin me kongresmenin Eliot Engel, Hoxhaj e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës në periudha të ndryshme kohore.

Nga ana tjetër, kongresmeni Engel ka thënë se do të vazhdojë të angazhohet personalisht për të siguruar njohje të reja për Republikën e Kosovës.

Engel, gjithashtu siguroi Ministrin Hoxhaj se qëndrimi i Uashingtonit do të jetë pa ekuivoke në mbështetje të integritetit territorial të Kosovës dhe kundërshtimit të strukturave ilelage të shtetit serb në veri. “Situata në veri të vendit, për SHBA-në është e papranueshme dhe e patolerueshme”, deklaroi Engel sipas mediave kosovare.

Nga ana e tij, kongresmeni Adam Smith ka siguruar ministrin Hoxhaj për mbështetjen e qëndrueshme dhe prezencën e SHBA-të në Kosovë. “Ne mbështesim fuqishëm praninë e trupave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë”, ka thënë kongresmeni Smith.

Midis çështjeve të debatuara nga Hoxhaj me përfaqësuesit e lartë zyrtarë të politikës amerikane, ka qenë edhe ajo e thellimit të lidhjeve ekonomike dhe shkëmbimit tregëtar midis dy vendeve.

Top Channel