Hajredin Kuçi i është kthyer angazhimit të tij në dy postet qeveritare.

Zëvëndëskryeministri dhe njëherësh ministri i Drejtësisë ka filluar punën të martën pas rreth 3 javë në dorëheqje për shkak se në Kuvend nuk ishte miratuar heqja e neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal, të cilët është vlerësuar se cënojnë lirinë e medias.  
 
Kthimi i Kuçit vjen pasi Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për Shfuqizimin e këtyre neneve.
 
Ai gjatë së martës ka falënderuar kryeministrin, kryeparlamentarin, deputetët por edhe ndërkombëtarët që siç tha ai e kanë mbështetur gjatë kësaj kohe.

“Kanë qenë ata të cilët më kanë mbështetur në përpjekjet e mia edhe këto ditë dhe të cilët më kanë dhënë mbështetje të plotë dhe kurajo që të kthehem prapë. Unë sot jam kthyer me përgjegjësi, me përkushtim dhe do të vazhdoj aty ku kam mbetur, ndoshta me përgjegjësi edhe më të larta se deri më tani”, theksoi Kuçi.
 
Paraditen e së martës kryeministri Hashim Thaçi ftoi zëvëndëskryeministrin Hajredin Kuçi, siç shkruan në komunikatën dërguar mediave, “që të vazhdojë me përkushtim dhe përgjegjësi në ushtrimin e funksioneve që ka mbajtur deri më tani në Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
 
Sipas kryeministrit të Kosovës, shkaqet e dorëheqjes së zëvëndëskryeministrit dhe ministrit të drejtësisë, e ofruar më 22 qershor që kanë dërguar te dorëheqja, tanimë nuk ekzistojnë.  
 
Në anën tjetër, gjatë së martës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nga afër ka parë se si po shkojnë korrje-shirjet, nuk ka dashur të komentojë deklaratat e LDK-së, zyrtarët e së cilës kanë paralajmëruar se do të bllokojnë me votë ndryshimet kushtetuese, nëse nuk respektohet e gjithë marrëveshja politike Thaçi-Mustafa-Pacolli.

Top Channel