Jorge Lorenzo, kryesuesi i renditjes së përgjithshme të Moto GP, shprehet se Mugello (pista ku do të zhvillohet gara e ardhshme e kampionatit botëror) është një pistë që i pëlqen shumë dhe që “mund të jetë një cirkuit i përshtatshëm për Yamaha”.
Piloti spanjoll i skuderisë japoneze theksoi në një komunikatë të lëshuar nga Yamaha: “E adhuroj Mugello-n. Është pistë e shpejtë dhe mendoj se i përshtatet motorit tim. Jam i lumtur që jam kryesues i renditjes, por duhen edhe shumë gara deri në fund dhe objektivi im është fitorja tek të gjitha.”
“Jam gati për garën e Italisë ku vitin e kaluar arrita një fitore të madhe”, deklaroi kampioni i botës në vitin 2010.
Jorge Lorenzo kryeson renditjen me 160 pikë, i ndjekur nga Dani Pedrosa (Honda) me 146 pikë dhe Casey Stoner (Honda) me 140 pikë.
Gara e Italisë, e nënta e kampionatit të Moto GP, do të zhvillohet të dielën në orën 14:00 dhe mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel dhe Supersport.
Top Channel