Greqia po kalon orë dramatike dhe është mbërthyer edhe nga një krizë politike pas vendimit të udhëheqësit të partisë ultranacionaliste LAOS, Jorgos Karatzaferis, për të mos aprovuar në parlament paketën e masave të reja.

Katër ministra të kësaj force politike dhe pak më vonë edhe Ministrja e Jashtme greke, anëtare e Partisë Socialiste, kanë dhënë dorëheqjen.

Në të njëjtën kohë edhe shumë deputetë kanë deklaruar se nuk do të votojnë programin e ri duke tronditur themelet e qeverisë së brishtë Papadhimos, pasi politikanët grekë duket se nuk e mbajnë dot mbi supe, koston politike që kërkojnë masat e dhimbshme.

Përballë një realiteti të tille kryeministri grek ka thirrur mbledhje të jashtëzakoshme të kabinetit, ndërsa vlerësohet se do të reformojë qeverinë e tij me teknokratë, nën shembullin e Italisë.

Nga ana tjetër udhëheqësit e dy partive më të mëdha Papandreu dhe Samaras kanë caktuar për ditën e shtunë mbledhje të grupeve parlamentare me qëllim që të bindin deputetët e tyre se votimi i paketës së reformave është rruga e vetme për Greqinë, përndryshe falimentimi do kishte pasoja tragjike.

Ndërkaq, në konfrontime të dhunshme për disa orë me forcat e policisë ka degjeneruar në Athinë protesta e sindikatave greke të sektorit shtetëror dhe atij privat në kuadrin e grevës së re 48 orëshe që ato kanë shpallur kundër masave të ashpra të miratuara dje nga qeveria nën presionin e ministrave të Eurozonës dhe të kreditorëve të huaj.

Sindikalistët grekë kanë paralajmeruar se do të vazhdojnë protestat deri të dielën, dita kur parlamneti grek do të votojë paketën e reformave.

Që Greqia të mos falimentojë, duhet deri të hënën të ketë aprovuar paketën e masave, në mënyrë që samitit i Eurogrupit të së mërkurës të hapë dritën jeshile për lëvrimin e paketës prej 130 milion eurosh që do ta shpëtojë atë nga katastrofa.

Top Channel