Arvizu, letër familjes Nika

10/02/2012 00:00

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta në një spital turk pas plagosjes, të
një prej protestuesve të 21 janarit, Aleks Nika, ambasadori Amerikan
Alexandër Arvizu i ka dërguar një letër ngushëllimi familjes së tij.

“Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për ju dhe përsecilin prej anëtarëve të familjes suaj për humbjen e Aleksit. Ndërmjet shumë sfidave që na duhet të kapërcejmë në jetë, humbja e një personi të dashur, baba, bashkëshort, vëlla, bir është më e vështira për t’u përballuar” – thotë ambasadori Arvizu në fillim të ngushëllimit.

Kryediplomati amerikan shkruan se “në mes të trazirës që rrethoi demostratën e 21 Janarit 2011, ndërmendim humbjet njerëzore dhe dhimbjen rrënuese që familjes suaj dhe tri familjeve të tjera u është dashur të duroni”.

Ambasadori Arvizu rikujton se “SHBA i kanë mbështetur fuqimisht përpjekjet e zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme për të zhvilluar një hetim të pavarur dhe gjithëpërfshirës, pa ndërhyrje politike, për të zbuluar dhe nxjerrë të vërtetën mbi ngjarjet e 21 janarit 2011.

Letra e ambasadorit Arvizu mbyllet me këto fjalë: “Besojmë se është e domosdoshme që ata që ishin përgjegjës të japin llogari për veprimet e tyre. Pa të vërtetën nuk mund të ketë drejtësi. Ju lutem dijeni se SHBA do të punojnë pa u lodhur për të mbështetur kauzën e drejtësisë në Shqipëri”.
 

Top Channel