“Gërdeci”, i pandehuri Madani kërkon pafajësi

10/02/2012 00:00

Ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani një prej të pandehurve në procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit ka kërkuar pafajësi në konkluzionet përfundimtare të paraqitura në gjykatë.

Avokati i tij mbrojtës, deklaroi përpara trupit gjykues se akuza e shpërdorimit të detyrës së ngritur ndaj klientit të tij nuk është e bazuar në prova dhe fakte.

Madani është akuzar në këtë proces, pasi ka qenë edhe anëtar i komsionit për vlerësimin e cmimeve të fishekëve të destinuar për demontim, ndërsa cmimi i tyre është vlerësuar si i ulet nga prokuroria me tendencë favorizimin e firmës që kryente demontimin “Alba-Demil”.

Por sipas avokatit të Madanit, ky i fundit në përcaktimin e cmimeve i është referuar procedurave të mëparshme dhe se nuk ka kryer asnjë shkelje që mund të përbëjë veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në fund të konkluzioneve përfundimtare avokati i Shkëlzen Madanit i kërkoi gjykatës që ta shpallë klientin e tij të pafajshëm. Sakaq, organi i akuzës në konkluzionet përfundimtare ka kërkuar shpalljen fajtor të Shkëlzen Madanit për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dënimin e tij me 8 vite burgim.

Top Channel