Vokshi “dënon” edhe Bracen

09/02/2012 00:00

Pas tre deputetëve socialistë të gjobitur më herët nga Gjykata e Tiranës, ka humbur përballjen para drejtësisë me deputeten Albana Vokshi edhe deputeti i katërt i paditur prej saj.

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Fatime Decolli ka dënuar me një milionë lekë gjobë deputetin socalist, Erion Brace për padi shkaktim dëmi, pas një padie civile të ngritur ndaj tij nga deputetja demokrate Albana Vokshi.  

Vendimi i gjyqtares së Dhomës Civile u dha pas 15 seancave, apo gati pas më shumë se një viti  e gjysmë pasi  deputetja Vokshi ngriti padinë ndaj Braces më 19 shtator të 2010.

Deputetja Vokshi pretendon se deklaratat e Braces në emrin e saj i kanë shkaktuar dëm moral në dinjitetin dhe jetën e saj pasi përgjatë 2009-2010 ajo u lakua nga deputetët për mosdeklarim të pasurive të Arjan Tartarit, me të cilin ajo bashkëjeton.

Të paditur prej Vokshit për këto deklarata janë edhe deputetët Vasilika Hysi, Mimi Kodheli, Olta Xhacka, Taulant Balla dhe Besnik Baraj, ndërsa muajin e kaluar deputetja Vokshi ka fituar përballjen në gjykatë me deputetët socialistë Sajmir Tahiri, Eduart Shalsi dhe Artan Gace.

Ndërkohë që këtë të enjte ishte në gjykatë edhe procesi tjetër civil referuar padisë së Vokshit ndaj Vasilika Hysit, por procesi u caktua për më 27 mars për t’i lënë kohë palës paditëse për të depozituar në cilësinë e provës një CD e cila do të dëgjohet në sallën e gjykatës.

Top Channel